Futboll

Spektakolar dhe me gola, Luftëtari përmbys Partizanin në Kupë

Futbolli shqiptar është rikthyer spektakolar, me gola dhe përmbysje. Luftëtari ka fituar me përmbysje 1-2 me Partizanin në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Përballja e zhvilluar në “Elbasan Arena” ishte me një ritëm të lartë për gjatë gjithë 90’ minutave dhe rezultati i ka befasuar të gjithë.

Partizani favorit për ta fituar këtë përballje hyri në fushën e lojës, me formacionin më të mirë të mundshëm dhe në sulm që në minutat e para. Asani dhe Hebaj prodhojnë disa raste të mira para portës së Bakaj, por pa mundur dot të konkretizojnë siç duhet. Luftëtari nga ana tjetër tentoi të reagonte me anë të disa kundërsulmeve, por Hoxha ishte në një ditë mirë. Në fundin e pjesës së parë do të vinte goli i parë i ndeshjes. Bruno Telushi me një gjuajtje të saktë nga brenda zonës gjuajti saktë, duke mos i dhënë asnjë shans reagimi portierit dhe kaloi në avantazh Partizanin.

Në 45 minutat e dytë, pritej që Partizani të konsolidonte fitoren dhe u përpoq që të shënonte golin e sigurisë, por Luftëtari ishte shumë i fortë për t’u çarë në mbrojtje. Gjirokastritët përveç mbrojtjes tentonin edhe të rrezikonin përpara. Nga një skemë e një goditje dënimi do të vinte barazimi. Realdo Fili përfitoi nga rrëmuja dhe konfuzioni në prapavijën e Partizanit dhe barazoi shifrat në 1-1. Pas këtij goli, loja u bë më e hapur dhe të dyja ekipet u hodhën në sulm për të dalë me fitore nga kjo sfidë. Partizani i pati rastet, por herë sulmuesit që gabonin dhe herë të tjera mrekullitë e Edvan Bakajt e mbajtën portën e “bluzinjve” të paprekur. Në minutat e fundit, kur ndeshja po shkonte drejt një barazimi, ka ardhur ndëshkimi i gjirokastritëve. Sërish nga një goditje standarde, Hoxha mposhti Partizanin dhe kalon në avantazh gjirokastritët. Me këtë triumf në ndeshjen e parë të Kupës, Luftëtari do të provojë të kualifikohet për një gjysmëfinale në shtëpi përballë një Partizani që duket i fokusuar totalisht në kampionat, ku në fundjavë e pret një ndeshje e vështirë me Teutën e vendit të tretë.

Formacionet e të dyja ekipeve:
Partizani:
Hoxha, Atanda, Rexhepi (46′ Duka), Belica, Ibrahimi (74′ Mensah), Trashi, Telushi, Bardhi, Mala, Asani, Hebaj (59′ Çinari).
Trajner: S. Gega
Luftëtari:
Bakaj, Demo, Hoxha, Açka, Kotsionis, Xhekson, Ramadani, Neziri (73′ Dunga), Ymeraj, Amontel (59′ Rapa), Fili.
Trajner: J. Ahmataj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë