Futbolli europian, si asnjëherë më parë dominohet nga Anglia. Pas Ligës së Kampionëve, edhe në finalen e “Europa League” do të jetë një derbi londinez, mes të cilëve do të diskutohet fituesi i këtij kompeticioni. Çesli mposhti Eintrahtin e Frankfurtit, ndërsa Arsenali fitoi edhe përballjen e dytë me Valencian. “Blutë” vuajtën, duke u kualifikuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa për “topçinjtë” ishte pak më e lehtë, pasi edhe në përballjen e dytë arriti të fitonte 2-4 me Valencian.
Çelsi i Sarrit do duhej të vuante shumë që të kalonte një “kockë të fortë” si Eintrahti i Frankfurtit. Gjermanët rezistuan deri në sekondën e fundit, duke tentuar të bëjnë mrekullinë, por në fund vendimtare rezultoi eksperienca e lojtarëve londinez. Golit të Loftus Çek në pjesën e parë, do i përgjigjej i zakonshmi Luka Joviç, i cili i dha shpresë ekipit të tij. Për 120 minuta lojë nuk pati më gola edhe pse rastet nuk munguan në të dy krahët. Nga gjuajtjet e penalltive, lojtarët e Çelsit ishin më të saktë, duke gabuar vetëm një herë, kundrejt dy penalltive të gabuara të gjermanëve.
Në “Mestalla” Valencia provoi të bënte surprizën e madhe, por nuk e kishte forcën e duhur përballë një Arsenali të vendosur për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. Ndeshja ishte e hapur dhe me shumë gola. Spanjollët shënuan të parët, por përballë kishin një super Aubumejang, i cili shënoi tre gola. Fillimisht afrikani barazoi dhe më pas me ndihmën e Lakazet hodhi “knockout” Valencian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.