Futboll

Spektakël në ‘San Siro’ – Interi thyen Milanin e ringjitet në podiumin e Serisë A

Në ‘San Siro’ mbrëmjen e kësaj të diele është luajtur një derbi spektakolar që fitues ka parë anën zikaltër të Milanos. Interi ka mposhtur në shifrat 2-3 Milanin në derbin numër dy këtë sezon në Serinë A. Me këtë triumf shumë të rëndësishëm kur kanë mbetur shumë pak javë nga fundi i kampionatit, Interi ringjitet në vendin e tretë dhe konsolidon pozitat e tij për në zonën Champions, duke e parakaluar me dy pikë Milanin që zbret në vendin e katërt.

Golin e parë skuadra e Spaletit do e gjente ende pa filluar mirë loja, në minutën e 4’. Matias Vesino përfitoi nga një rrëmujë në zonën e Milanit dhe çoi topin në rrjetë. Me këtë avantazh shumë të shpejtë Interi u gjend në pozita shumë komode dhe luante më i qetë. Milani nga ana tjetër provoi të reagonte, por Piatek dhe Paketa nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Zikaltërit do t’i kishin edhe disa raste të tjera për ta dyfishuar avantazhin, por futbollistët e Spaletit ishin të pasaktë në tentativat e tyre.

Në fraksionin e dytë të lojës do të fillonte dhe festivali i vërtetë i golave. De Vrij dyfishoi për Interin në minutën e 55’ dhe u duk sikur derbi i “Madoninës” do të ngjyrosej zikaltër këtë herë. Por Milani nuk u dorëzua kaq lehtë dhe Bakajoko shkurtoi diferencat në minutën e 57’. Nga ky moment loja u bë e zjarrtë dhe aksionet ishin të shumta nga të dyja krahët.

Në minutën e 66’, Politano fitoi një penallti, të cilën Lautaro Martinez, njeriu që zëvendësoi Ikardin në këtë derbi, e shndërroi vetë në gol. Por edhe pas këtij goli Milani do të reagonte sërish. Këtë herë me anë të mbrojtësit Musakio, skuadra e Gatuzos tentoi të dilte të paktën me një pikë nga kjo përballje. Kuqezinjtë do të provonin deri në fund për ta gjetur barazimin, por as 7 minutat shtesë nuk mjaftuan dhe Interi e fiton këtë derbi të Milanos, duke i parakaluar në renditje rivalët e qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë