Kosova

S’pati takim trepalësh në Bruksel / Nga Marrëveshja e Ohrit te ajo e Bratisllavës, çfarë diskutoi Lajçak me kryenegociatorët

Nga Gazeta 'Si'-Në Bruksel nuk pati takim trepalësh ditën e djeshme(19 korrik).

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi se bisedoi veçmas me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

 “Ne diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të Dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe uljen e tensioneve në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, njoftoi zyrtari i BE përmes një statusi në Twitter.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi, sqaroi se fokusi kryesor ka qenë në sekuencimin e hapave që duhet të bëhen për zbatimin e marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Tek plani i sekuencimit, ne kemi shqetësime me draftet e deritanishme që z. Lajçak i ka dërguar palëve tona, për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazë, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes”, u shpreh Bislimi pas takimeve.

Kryenegociatori shtoi se mes temave të diskutimit me Lajçak ka qenë ajo për komitetin mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, çështja e energjisë, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur dhe për marrëveshjen e arritur në Bratisllavë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Takimi Vuçiç - Lajçak

Lajçaku është takuar të mërkurën edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç ka thënë pas takimit se Beogradi vazhdon të insistojë në hapat konkretë për mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

"Kam folur me Mirosllav Lajçakun për raundin e fundit të bisedimeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për t’i ulur tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe për zbatimin nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në Instagram.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë