Gazeta Si - Rreth 24 orë pas arrestimit të funksionarëve të policisë në Shkodër e Berat, kryeprokurorit të Kukësit dhe një biznesmeni lokal, SPAK ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku thotë se ka dokumentuar 4 ngjarje kriminale nga ky grup.
Nga hetimet e kryera, janë zbardhur vrasja e Gjin Boriçi Ndojt, ndodhur në Shkodër në muajin gusht të vitit 2020. Gjithashtu, është zbardhur tentativa për vrasjen e Taulant Pepës, po në Shkodër në shkurt 2021.
Nga ana tjetër, është konfirmuar se pjesëtarë të këtij grupi, kanë siguruar mjetet për vrasjen e Kleant Musabelliut në Tiranë gjatë vitit 2020, si edhe për vrasjen e Dorjan Dulit, Gentian Tafilajt dhe I.Doli, vëllai i Dorjanit), ndodhur gjatë vitit 2020.
Prokuroria e Posaçme, bën me dije se hetimet janë kryer në bashkëpunim me Eurojust, Europol, Belgjikën, Holandën dhe Francën.
Operacioni është shtrirë në disa qytete, teksa nga 15 urdhër-arreste të lëshuara nga GJKKO, është bërë i mundur ekzekutimi i 8 prej tyre.
Gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është dokumentuar se persona me precedent kriminal, të dënuar për vepra të rënda penale, kanë kryer edhe ngjarje të tjera kriminale për të cilat vijojnë hetimet.
Mesazhet e përcjella nga Franca, Holanda dhe Belgjika, treguan edhe implikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ku në pranga për korrupsion ra prokurori Xhevahir Lita, si dhe ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri.
Bistri, sipas burimeve, ka komunikime me biznesmenin Pëllumb Gjoka, të cilin e lajmëronte për kontrolle në një biznes të tij në zonën që mbulohet nga Komisariati 2, në kohën kur Bistri ishte shef i këtij Komisariati.
“Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.94, datë 23.07.2023 ka miratuar masat e sigurisë personale “arrest në burg”, për 15 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale. Konkretisht për shtetasit Behar Bajri, Ervis Martinaj, Pëllumb Gjoka, Denis Brahoviç, Edmond Preka, K.H., P.K., Astmer Bilali, A.N., B.M., Elion Hato, A.B., Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita”, - thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Të fundosur nga përgjimet
Personazhet e grupit të arrestuar me urdhër nga SPAK dhe të shpallurve në kërkim, bisedonin me njëri-tjetrin për vrasje dhe plane ekzekutimesh të emrave të ndryshëm në Shkodër.
Përmes aplikacionit “Sky” dhe “Encro”, Oltion Bistri, Xhevahir Lita, Ardit Hasanaga, Pëllumb Gjoka etj., janë fundosur nga përgjimet e autoriteteve franceze, të cilat ia kanë përcjellë Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri.
Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në 26 banesa dhe ambiente ku janë sekuestruar shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri, maska, pajisje elektronike, pajisje elektronike monitorimi me të cilat monitoreshin ambiente të jashtme në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Plani për vrasjet
Kështu, biznesmeni Pëllumb Gjoka del në përgjime duke bërë plane me Behar Bajrin për të kryer vrasjen e Kleanth Musabelliut në Tiranë
Behari, i cili është shpallur në kërkim, i shpjegon se kishte kontaktuar persona të ndryshëm jo shqiptarë, por me kombësi të huaj për të realizuar vrasjen, por më pas del se ekzekutimi i mbetur në tentativë u krye nga shtetas shqiptarë.
Gjithnjë sipas informacioneve në rrugë jo zyrtare, del se në biseda flitet për shumat që do të paguheshin për realizimin e vrasjeve. Në një prej tyre, biznesmeni i arrestuar Pëllumb Gjoka, thotë që të jepen sa para kërkohen, vetëm që vrasja të kryhet.
Ndërkohë, vrasjen e Gjin Ndojt në vitin 2020, dyshohet se e ka porositur Ervis Martinaj, i shpallur në kërkim në këtë operacion. Martinaj është një eksponent i krimit të organizuar, i cili rezulton prej kohësh i zhdukur dhe në këtë dosje del se bashkëpunonte me grupin kriminal në Shkodër.
Ndërkohë, dyshohet se ekzekutimi i Gjin Ndojt është bërë nga Denis Brahovic dhe Behar Bajri, të dy të shpallur në kërkim. Viktima ishte konfliktuar me rivalët e tij, të cilët e kanë masakruar me plumba, sipas bisedave të përgjuara edhe në aplikacionin “Sky”.
Pas vrasjes së Gjin Ndojt alias Gjin Boriçi të dyshuarit Pëllumb Gjoka, Ervis Martinaj, Edmond Preka dhe Behar Bajri i shkuan edhe në varrim.
Në komunikimet në rrjetin “Encro Chat”, Bajri dhe Martinaj kanë shkëmbyer objektivët e tyre ku Bajri eliminoi Borricin për interes të Martinajt dhe ky i fundit do të vriste Kleanth Musabelliun, vrasje e cila nuk u realizua.
Akuzat ndaj grupit kriminal
Hetimet për goditjen e këtij grupi nisën më 16 janar të këtij viti. Sipas SPAK, anëtarët e grupit kriminal, akuzohen për: “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Fallsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Akuzat ndaj grupit Bajri
Një ditë më parë, shoqëroi edhe persona të tjerë nga fisi Bajri, por pas verifikimeve u liruan. Në fakt, saga me drejtësinë shqiptare të fisit Bajri në Shkodër, ka nisur që para 5 vjetësh.
Safet Bajri u arrestua më 22 shtator të 2018 bashkë me 10 persona të tjerë në kuadër të operacionit policor të koduar “Oaz”.
Personat kryesorë të kërkuar ishin Safet dhe Enver Bajri që akuzoheshin për një sërë veprash penale si “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, etj.
Grupi ku bënin pjesë anëtarët e familjes Bajri, akuzohej për dy vrasje, njëra më 7 shkurt 2001, ku u ekzekutua shtetasi me iniciale A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja 15-vjeçare me iniciale F.H.
Anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan me bujë në një operacion të Forcave Speciale shqiptare, akuzoheshin edhe për kanosje ndaj disa shtetasve për të dhënë shuma të mëdha parash.
Mirëpo, pjesa më e madhe e akuzave u rrëzuan në gjykatën e Shkodrës, duke dënuar disa nga të arrestuarit vetëm për mbajtje pa leje të armëve dhe organizim pa leje të lojërave të fatit.
Ndërkohë, Safet Bajri mbeti në burg për shkak të një vendimi gjykate të dhënë nga drejtësia Belge, e cila e dënoi me 8 vjet e 9 muaj burg për trafikim të qenieve njerëzore dhe Organizatë kriminale. Kjo shkaktoi edhe reagim në Belgjikë.
Asokohe, mediat belge shkruanin se njeriu që tronditi kryeqytetin e Belgjikës me krimet e tij ka bërë vetëm 6 vite burg, ndërkohë që në vendin e tyre ai ka 3 dënime me plot 22 vite burg.
Të arrestuarit:
Pëllumb Gjoka - Biznesmen
Edmond Preka, - Shoqëruesi i tij
Astmer Bilali, - Anëtar i grupit Bajri
Ardit Hasanbenga - Ish-shefi i Krimeve, Shkodër
Oltion Bistri - Ish shefi i Operacionales
Xhevahir Lita - Kryeprokurori i Kukësit
S.T., - i arrestuar në flagrancë
N.F., - i arrestuar në flagrancë
Të shpallur në kërkim
Elion Hato – Mik i Ervis Martinajt
Behar Bajri – Anëtar i grupi Bajri
Denis Bajovic – Anëtar i grupit Bajri
K.H.,
P.K.,
A.N.,
B.M.,
A.B.,
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.