Drejtësia

‘Metamorfoza’, Apeli i GJKKO-së lë në burg biznesmenin, prokurorin dhe ish-kreun e Operacionales

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar kërkesën për liri të të arrestuarve të operacionit “Metamorfoza”.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-shefi i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega, Edmond Preka ankimuan vendimin e shkallës së parë që i la pas hekurave. Por Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e miratoi kërkeswn e tyre.

Një ditë më parë, SPAK nisi hetimin pasuror për të arrestuarit, të cilët akuzohen se vepronin si grup i strukturuar kriminal.

Përveç 12 veprave penale të cilat po hetohen nga SPAK, paralelisht po zhvillohet një hetim pasuror për personat e përfshirë në këtë dosje, për të verifikuar pasuri që mund të kenë pasuri që buron nga veprimtaria kriminale.

Prokuroria kërkon informacione nga banka të nivelit të dytë dhe institucione shtetërore për ish-shefin e operacionales, prokurorinë e Kukësit dhe të tjerë persona që dyshohet se kanë planifikuar krime, deri në vrasje përmes ndërhyrjeve dhe pagesave të majme.

Gjoka dhe të dyshuarit e tjerë, kanë pretenduar se nuk kanë përdorur asnjëherë aplikacion Sky dhe se nuk kanë asnjë lidhje me kodet që pretendon SPAK.

Gjatë operacionit policia ndërmori një aksion të shtrirë në disa zona të vendit, ku u ushtruan 16 kontrolle në banesa dhe u sekuestruan para, armë, maska e kamera. Ky grup kriminal akuzohet për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera.

Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit shqiptar, si Behar Bajri dhe Ervis Martinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë