Ish-nën kryetari i Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për veprën shkelje të barazisë në tenderë. Hetuesit kanë zbuluar se ish-Prefekti Gjana ka konsumuar këtë vepër penale në dy raste.
Në fillim të janarit, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së ndaj ish-nënkryetarit të Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana.
Ai u vu në hetim për shkelje të barazisë për dy tenderë me vlerë 210 milionë lekë të vjetra për karburantet.
Dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti.
Sipas SPAK, Gjana, në shkelje të ligjit, nuk ka pajisur me autorizim për përdorimin e lëndëve djegëse një subjekt që garonte për një tender me vlerë 21 milionë euro për furnizim me karburant.
“Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, thuhej në njoftimin paraprak të SPAK.
Granit Gjana u emërua Prefekt i Kukësit, pasi nga kjo detyrë u lirua Albert Halilaj, i cili u zgjodh më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit pas zgjedhjeve që u përsëritën si pasojë e një videoskandali të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.