Gazeta Si – Rreth 5.512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Mbrojtjes dhe të Jashtme Olta Xhaçka, dyshohet se është vendosur nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, mësohet se Gaçi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi pas padisë në SPAK ndaj ish-ministres Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi dhe kreut në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro.
Sipërfaqja në fjalë, mësohet se është pjesë e tokës që Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
LEXO EDHE:
– Dyshime për konflikt interesi, bashkëshorti i ministres Xhaçka investitor strategjik
– ‘Investitor strategjik’ në Himarë, ish-deputeti i PS Artan Gaçi dhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës paraqiten në SPAK
Në 6 tetor të këtij muaji, Gaçi u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje në bazë të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për këtë çështje, pas një kallëzimi të bërë nga Beleri.
Ky i fundit ka paditur kryetarin e Bashkisë Himarë në detyrë Jorgo Goro dhe çiftin Gaçi-Xhaçka për abuzim me tenderët dhe tjetërsimin e pronave në Dhërmi.
Në padinë e Belerit, thuhej se Olta Xhaçka, asokohe ministre e Mbrojtjes (dhe më pas e punëve të Jashtme), me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë.
Sipas kreut të zgjedhur të Bashkisë Himarë (në burg për korrupsion në zgjedhje), Xhaçka, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore.
Një çështje e tillë është ngritur vazhdimisht edhe nga opozita, e cila kërkonte heqjen e mandatit të socialistes Olta Xhaçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.