Drejtësia

Abuzim me tenderët, SPAK nis hetim pasuror për kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli dhe atë të Himarës Jorgo Goro

Gazeta Si - Prokuroria ka nisur verifikim pasuror për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Sulin dhe për atë në detyrë të Himarës, Jordo Goro.

Për Sulin është regjistruar procedim penal me dyshimin se ka abuzuar me tenderët në pastrimin e qytetit. Ndërsa edhe ndaj Goros ka nisur procedim për të njëjtat dyshime.

Rakip Suli

Suli u paraqit të mërkurën për të dytën herë në SPAK për të dhënë sqarime lidhur me hetimet që po kryhen për fondet e tërmetit të vitit 2019 dhe një tender për pastrimin e qytetit.

Ndërsa Jorgo Goro u paraqit në SPAK pas kallëzimit të bërë nga stafi i Fredi Belerit për shkelje.

Bëhet fjalë për abuzim me tenderët për çështjen e resortit që po ndërtohet nga bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-ministres së Jashtme në një zonë pranë Himarës si investitor strategjik.

Kryebashkiaku i opozitës që fitoi në Himarë me 14 maj, Fredi Beleri më 2 shtator bëri një denoncim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi, si dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Jorgo Goro

Në dokumentet e publikuara nga mediat, thuhet se Beleri ka hartuar një dosje, që sipas tij përbën skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë e Himarës.

Goro vijon të jetë në detyrë, për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, ndonëse fitoi në zgjedhjet e 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë