Ekonomi

’S&P’ rrit për herë të parë vlerësimin për ekonominë e Shqipërisë, Mete: Rrit optimizmin e investitorëve të huaj

Nga Gazeta “SI”- Agjencia “Standard&Poors” ka vlerësuar për herë të parë Shqipërinë me BB- nga B+, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit. 

Qëndrueshmëria ekonomike sipas Agjencisë, i atribuohet sektorit turistik, që rriti ekonominë e Shqipërisë 5.8% mesatarisht në çdo vit dhe 15% për eksportet.

S&P evidenton se autoritetet shqiptare kanë shfaqur angazhimin e tyre për konsolidimin fiskal. Të kombinuara me rritjen e fortë ekonomike, këto përpjekje kanë çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga një pik prej 74.5% të PBB-së në vitin 2020 në një vlerësim prej 58% në vitin 2023. 

Agjencia parashikon se autoritetet do synojnë të ruajnë këtë qasje të matur ndaj financave publike, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar që borxhi publik i Shqipërisë të mbetet i qëndrueshëm në një mesatare prej rreth 55% të PBB-së gjatë viteve 2024–2027.

Përveç pozitës së përmirësuar fiskale, Standard&Poor’s vlerëson se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Kjo i atribuohet akumulimit të aseteve publike, kryesisht rezervave valutore dhe të ardhurave në rritje të shërbimeve nga sektori në zhvillim i turizmit.

S&P gjithashtu pret që autoritetet të mbeten të matura nga ana fiskale, duke mbajtur borxhin publik në një trajektore të qëndrueshme dhe gradualisht rënëse.

Agjencia vlerëson se Shqipëria do të ndërmarrë hapa institucionalë në mbështetje të ofertës së saj për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Vendi ka zbatuar një sërë reformash për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, duke përafruar më tej kuadrin ligjor, i shtyrë nga ambicia e tij për t'u bashkuar me BE-në. Megjithatë, sfidat e brendshme kërkojnë reforma të vazhdueshme strukturore për t'u harmonizuar me acquis të BE-së.

Ministri i Financave Ervin Mete, ka reaguar pas lajmit, duke thënë se kjo është konfirmim i pozitës së mirë ekonomike.

Ministri i Financave Ervin Mete në deklaratë për mediat

Në një dalje të shkurtër për mediat, ministri Mete tha se vlerësimi i përmirësuar do të ndikojë tek perceptimi i investitorëve të huaj, si dhe do të lehtësojë integrimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të huamarrjes.

“Theksoj se kalimi në një shkallë më të lartë vlerësimi zakonisht kërkon një kohë relativisht të gjatë për të krijuar bindjen që përmirësimet e ekonomisë së vendit janë të qëndrueshme. Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët. Ngjitja me një kategori vlerësimi nga Standard & Poor’s konfirmon situatën e mirë që po kalon ekonomia e vendit, qëndrueshmërinë e financave publike dhe pritshmërinë pozitive për reformat e ndërmarra”, dekaroi ministri Ervin Mete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë