Komunitet

Lamtumirë orës dimërore! BE mendon shfuqizimin

Në vitin 1981, vendet e Bashkimit Europian vendosën që të aplikojnë njëzëri skemën e ndryshimit të orës, nxitur nga disa studime dhe raporte të publikuara nga kompani, shoqata dhe organizata të ndryshme, në të cilat arrihej në përfundimin se zhvendosja e akrepave me -+ 60 minuta kursente energjinë.

Por, duket se kursimi i kësaj energjie ka ardhur me një kosto jo të vogël për shëndetin e popullsisë. Në tetor të vitit të kaluar, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan shfuqizimin e kësaj praktike dhe mbajtjen përgjatë gjithë vitit të pandryshuar atë që njihet sot si ora verore.

Nga faza e diskutimeve, zyrtarët e Bashkimit Europian kaluan në atë të hapave konkrete, nxitur nga Lituania, vend anëtar që paraqiti një kërkesë zyrtare për shfuqizimin e kësaj praktike. Institucionet e Brukselit e morën në shqyrtim dhe pritet që të vendoset kolegjialisht për shfuqizimin, ose ruajtjen e kësaj praktike.

Gjasat janë që ajo që do të ndodhë të jetë shfuqizimi. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e paralajmëroi këtë.

“Zhvilluam disa sondazhe dhe miliona qytetarë të BE-së besojnë se në të ardhmen duhet të kemi vetëm një orë, atë veroren dhe kjo është ajo që do të ndodhë”, tha Juncker për “ZDF”.

Duke folur më tej, kreu i KE-së tha se do të nxisë heqjen e ndryshimit. Gjithsesi, ndryshimi i mundshëm ka nevojë edhe për miratimin e qeverive kombëtare dhe Parlamentit Europian për t’u kthyer në ligj.

Veç sondazheve, Bashkimi Europian ka financuar që prej vitit 2011 shuma të konsiderueshme për hulumtimin e pasojave që sjell në gjendjen shëndetësore ndryshimi i akrepave.

Sipas këtyre studimeve, ata që e ndiejnë më shumë ndryshimin janë fëmijët dhe të moshuarit. “Neuroscience Letters” thotë se njerëzit tentojnë të flenë më pak dhe shohin më pak ëndrra në periudhën e tranzicionit të orës.

Ndryshimi i orës shkakton rritje të stresit dhe një lodhje të përgjithshme, që ndikon edhe në kapacitetin tonë të përqëndrimit. Edhe prej këtij motivi është evidentuar një rritje e numrit të aksidenteve rrugore, më së shumti të hënën e parë pas fundjavës së ndërrimit të orës.

Është provuar gjithashtu se, duke përjashtuar të hënën e parë, incidentet vdekjeprurëse ulen ndjeshëm në periudhën kur është në fuqi ora ligjore. Me shumë mundësi, motivi kryesor është fakti që ka më shumë sasi ndriçimi në orët kur njerëzit kthehen nga puna.

Megjithatë, ka nga ata që janë mosbesues mbi pasojat reale të ndryshimit të orës. Sipas tyre, problemet janë më shumë psikozë, sesa reale. Gjithçka është shumë më pak e ndërlikuar dhe negative nga ajo që mendohet dhe se pasojat negative mbi gjumin janë vetëm probleme të vogla afatshkurtra.

Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore.Zhvendosja me 60 minuta para ose pas e akrepave nisi në Europë nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë