Lajme

Sot hidhet shorti për anëtarët e KED

Kuvendi i Shqipërisë do të hedhë sot shortin për zgjedhjen e anëtarëve në Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sot në ora 10:00 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit do të realizohet ky proces i hapur në prani në prani të Avokatit të Popullit; përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë; përfaqësuesve të grupeve parlamentar. Kuvendi bën të ditur se shorti do të hidhet edhe në prani të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Monitorimit; përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe organizatave partnere ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi nxori urdhrin e posaçëm për hedhjen e këtij shorti, pasi Presidenti Ilir Meta nuk ka prano që të kryente këtë proces. Me anë të një shkrese drejtuar Kuvendit, Presidenti bënte të ditur se e kishte pamundur të realizonte shortin për shkak të vakuumit ligjor.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga institucionet e rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i cili kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. KED shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale.
KED përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në nenin 221/1, të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Përbërja prej 9 anëtarësh e KED-së është: dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga gjykatat e apelit, dy prokurorë nga zyrat e prokurorisë pranë gjykatave të apelit, një gjyqtar nga gjykatat administrative. Ata ushtrojnë detyrën me një mandat një vjeçar, që fillon në datën 1 Janar të çdo viti kalendarik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë