Futboll

Sot derbi i krenarisë, Tirana-Partizani ngre në këmbë tifozët e kryeqytetit

Gazeta Si - Mbrëmja e sotme sjell derbin Tirana-Partizani, i treti i këtij kampionati, por që ka ngjallur një interesim shumë të madh në radhët e tifozëve, të cilët pritet të mbushin shkallët e stadiumit “Air Albania”.

Është derbi i krenarisë mes dy klubeve të mëdha kryeqytetase. Një sfidë që rezervon gjithmonë 90 minuta të nxehta, pavarësisht pozicionit që ka njëra apo tjetra skuadër. Si Tirana që kryeson bindshëm, ashtu edhe Partizani, vijnë në një moment të mirë, pas fitoreve të pastra, ndaj dhe besimi për të fituar derbin është i madh në të dy kampet.

Limaj, Toli dhe Totre, tre mesfushoret e Tiranes. Gazeta Si, 5 mars 2022

Tirana ka menduar për një organizim ndryshe, për të argëtuar tifozët me muzikë para se fjalën ta marrin lojtarët në fushë. Trajnerët Orges Shehi dhe Dritan Mehmeti i kanë skuadrat të plota dhe do të hedhin në fushë formacionet më të mira. Tirana ka mesfushën dhe sulmin më të mirë të kampionatit, por edhe Partizani nuk mbetet prapa, me lojtarë shumë të shpejtë. Të kuqtë janë 19 pikë prapa, por në derbi kjo diferencë zhvlerësohet.

Parashikohet një ndeshje plot emocione, ku edhe tifozët do të kenë pjesën e vetë të rëndësishme, me shpresën se nuk do të krijojnë incidente, duke respektuar rregullat. Derbi Tirana-Partizani çel javën e 23-të të Superiores, që vazhdon të hënën dhe të martën me katër ndeshjet e tjera.

Të hënën zhvillohen ndeshjet Egnatia-Teuta, Kukësi-Vllaznia dhe Kastrioti-Laçi, ndërsa ditën e martë luhet Skënderbeu-Dinamo. Tirana kryeson me 52 pikë, e ndjekur nga Laçi me 44 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë