Lajme

Solidarizohen Greqia, Italia e Kosova. Tmerri i tërmetit në mediat e huaja

Greqia, Italia dhe Kosova kanë shprehur sot solidaritet e tyre për Shqipërinë, pasi lajmi për tërmetin e fuqishëm pushtoi mediat ndërkombëtare. Kryeministri Edi Rama ka folur në telefon me kryeministrin italian Giuseppe Conte, i cili i ka shprehur solidaritetin e plotë të Italisë dhe gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në përballimin me pasojat e tërmetit të rëndë që ra mbi vendin tonë.
Kreu i qeverisë italiane i ka ofruar ndihmën e tij Tiranës zyrtare, duke thënë se Italia mbështet Shqipërinë në këto momente të vështira.
Pas Italisë fqinje, edhe Ministria e Jashtme e Greqisë shprehu sot solidaritetin e saj për tërmetin që goditi Shqipërinë. Me anë të një postimi në Twitter, qeveria greke shpreh solidaritetin me popullin dhe qeverinë shqiptare.

Giuseppe Conte



”Ne shprehim solidaritetin tonë me qeverinë shqiptare dhe me njerëzit e prekur nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e qeverisë së vendit fqinj.
Ndërkohë pas tërmetit që tronditi vendin ka reaguar edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka shprehur solidaritet dhe ka ofruar ndihmë për kalimin e situatës në Shqipëri.
"Me shqetësim mora lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri. Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe u ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situatës. Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë", u shpreh kreu i shtetit të Kosovës.


Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të anulojë udhëtimin e tij drejt Nju Jorkut. Mësohet se Rama ndodhet aktualisht në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, dhe ka vendosur të kthehet në Shqipëri për shkak të situatës së rëndë nga dy tërmetet e fuqishme që lëkundën vendin.
Lëkundjet e tërmetit në Shqipëri kanë gjetur pasqyrim të gjerë edhe në mediat britanike, italiane, greke dhe franceze, të cilat raportojnë se lëkundjet e tërmetit në vendin tonë kanë qenë të frikshme dhe qytetarët janë tmerruar. "Reuters"," Daily Express", "Global News", "Business Line", janë disa nga mediat që i dhanë hapësirë tërmetit të fuqishëm që shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shumë të plagosur.
“Të gjithë fqinjët tanë dolën duke bërtitur. Faleminderit Zotit që nuk zgjati shumë, ishte rreth 20 sekonda. Ishte një makth në katin e 10-të. Nuk më kujtohet një më i fuqishme se ky, “i tha Reuters një pensionisti në Tiranë.
Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se nga tërmeti janë plagosur disa persona, ndërsa lëkundjet kanë shkaktuar dëme materiale në banesa.

Nga ana tjetër, gazeta italiane "Repubblica.it" shkruan se dy tërmete u regjistruan brenda dhjetë minutash me epiqendër veriun e Durrësit. I pari 5.8 ballë dhe i dyti 5.3 ballë. Lëkundjet janë ndjerë gjithashtu në Puglia, veçanërisht në Salento dhe Gargano.
Gazeta britanike "Mirror" shkruan se Shqipëria u trondit nga tërmeti i saj më i fortë në 30 vjet.
"Shtëpitë u rrënuan, banorët e tmerruar dolën në rrugë dhe rreth 50 njerëz u lënduan. Makinat u shtypën nga tullat e rëna në kryeqytetin e Tiranës – ku dy dridhje u ndjen në një suksesion të shpejtë – dhe ndërtesat u dëmtuan keq në qytetin bregdetar të Durrësit, afër epiqendrës. Dridhja me forcë 5.6 – gjithashtu e ndjerë në Itali dhe Greqi – tronditi shtëpitë, rrëzoi sendet nga raftet, preu energjinë dhe shërbimin telefonik dhe dëmtoi një stadium futbolli gjatë një ndeshje. Ishte një mrekulli që ndërtesa ime i rezistoi. Këto ndërtesa nuk janë bërë për të mbijetuar nga ky lloj tërmeti”, ka thënë një banorë në Durrës.
“Një tërmet me forcë 5.6 ka goditur 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit shqiptar të Tiranës. Sondazhi Gjeografik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha që tërmeti ishte me epiqendër në Detin Adriatik në një thellësi prej 10 km. Banorët e zonës thanë që tërmeti u ndje fuqishëm në Tiranë dhe njerëzit dolën për në rrugë. Nuk ka raportime për viktima, por një ndërtesë apartamentesh në qytetin bregdetar të Durrësit u raportua të ishte dëmtuar keq. Fotografitë e shpërndara në Tëitter treguan shkatërrim në ndërtesën e universitetit të Tiranës”, shkruan nga ana tjetër "EuroNews".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë