Ekspozite

Sokol Beqiri – Art për të mos harruar tmerret e luftës 


Të shkruash poezi, pas Auschwitz-it, është barbare, thoshte filozofi gjerman Theodor Adorno. Por nëse arti është i pafuqishëm të shërojë katastrofa kaq të mëdha që njeriu i ka shkaktuar njerëzimit, ai mundet të raportojë. Këtë ka zgjedhur artisti nga Kosova, Sokol Beqiri, në rrugëtimin e tij artistik; rolin e dëshmitarit, i cili i vihet shoqërisë përballë, për të na kujtuar tmerret, të cilat nuk mundemi dhe nuk duhet t’i harrojmë. “As mik, as armik” e sjell artistin e njohur për herë të parë në Tiranë, me një ekspozitë vetjake, ndërsa ky vit shënon edhe 20 vjetorin e luftës së Kosovës.

Ekspozita, e para për këtë sezon në Galerinë Kombëtare të Arteve, rrëfen një histori përmes veprave, mendon kuratorja Galit Eilat. Në hyrje të ekspozitës vizitorët i mirëpret një Pikachu, një krijesë fiksionale, që luan rolin e ruajtësit të pyllit që ndodhet prapa tij, ndërsa “Pylli i Shenjtë” është vepra që artisti ka krijuar enkas për këtë rast, me referencë nga elementët e mbinatyrshëm në tragjedinë “Makbeth”, të  Shekspirit.

Nën tematikën e heroit, artisti ka sjellë një sërë veprash si “I Popullit, seria e fotografive  “Ushtarët’’, “Beqiri’s Love Shop”, “Fuck You”, si dhe videon “Skënderbeu”, ndërkohë në veprat e tjera si “Fundi i Ekspresionizmit” dhe “Kur engjujt janë vonë” artisti përdor materiale dytësore për të treguar ngjarjet e ndodhura gjatë luftës”. Tmerret e luftës na shfaqen krejt të zhveshura, nëpërmjet syrit të të mbijetuarit dhe zgjedhjet estetike të artistit nuk e lejojnë shikuesin ta largojë shikimin.  Është ky stil i drejtpërdrejtë dhe faktik që Sokol Beqiri, ka zgjedhur pas vitit 1999. “Jemi të privuar edhe nga ndjenja e katarsisit; këto ngjarje kanë ndodhur dhe nga to nuk ka ardhur asnjë e mirë. Nuk gjejmë as shëlbim dhe shikuesi nuk fshihet dot nga mesazhi i qartë i punëve”, shkruan Eilat në tekstin e saj kuratorial. Është kjo formë e teknikës, ky vështrim i palëkundur i artistit, që i kthen në jetë kujtimet e luftës në Kosovë.

Lufta gjithmonë ka kërkuar të jetë e përfaqësuar në art, në art të lavdit dhe të shenjtërimit. Dhuna portretizohet shpesh vetëm si dëshmi e uniformave të luftës dhe pozave të sovranit, që ushtron dhunë që supozohet të jetë legjitime dhe që duhet për rend politik, apo me fjalë të tjera, për vetë sovranitetin. Megjithatë, kur dhuna bëhet shprehja e përhershme e sovranit, kur të qenit i përjashtuar kthehet në normë, kur sovrani nuk përfaqëson më pushtetin, por është vet pushteti i ushtruar, atëherë i shmanget përfaqësimit piktoresk përveç në banalitetet e jetës së përditshme. Me reagimin e tij ndaj vrazhdësisë së luftës, është kujdesur të mos e përdor si formë për të akuzuar armikun. Ai përpiqet, që me artin e tij të dalë përtej lokale, për të mbërritur tek universalja. “Është e vërtetë që si shqiptarë, ne vuajmë e qajmë, por është edhe më e vërtetë që vuajmë e qajmë si njerëz”, do të shprehej ai, më herët. Beqiri, është një prej 17 artistëve shqiptarë, që morën pjesë në ekspozitën “Documenta 14”, organizuar në Athinë dhe Kassel të Gjermanisë , dy vjet më parë.

Është etiketuar si provokativ, por Beqiri e ka në kredon e tij, se arti nuk mund të përdoret si vegël kundër armikut. “…Vlera e qenësishme e punës humbet kur përvetësohet për qëllime politike, nacionaliste, religjioze apo ideologjike. E humb fuqinë e vet. Arti  nuk duhet të përdoret kurrë si vegël për të bërë akuza”, ka qenë gjithnjë i mendimit artisti. Edhe pse kanë  kaluar 20 vite nga përfundimi i luftës, me ndërhyrjen e trupave të NATO-s, Beqiri vazhdon të flasë me artin e tij.  “Piedestali që mban emrin  “Populli” nuk më kujtohet i kujt është, por përmes tij vjen manipulimi që bëhet në emër të popullit. Më tej malin mund të shohim si  për të përshkruar  ndërhyrjen e NATO-s. Jam mësuar që këta na kanë sjellë lirinë, por çfarë po ndodh më pas”, rrëfen artisti në Tiranë, duke shtuar se ishte ky një çast që i lindnin shumë pyetje, të cilat i ka shndërruar në art.

Ndëra publikut i propozon një sërë punësh të grupuara në tematikën e gjerë, titulluar “heroi”, artisti i interesuar rreth transformimit të vazhdueshëm, që nuk di të ndalet, nuk e gjen veten tek tendenca e përgjithshme, për të parë një hero universale, për të gjithë. “Sot besoj dikë, nesër s’më del ashtu. Sot personalisht nuk shoh asnjë mik, asnjë armik”.Gjatë ditëve që ekspozita do të qëndrojë e hapur – deri më 2 qershor – Ministria e Arsimit, ka mbështetur projektin e edukimit përmes kulturës, ku nxënës të shkollave të mesme do të vizitojnë ekspozitën dhe të njihen më shumë me ngjarjet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë, të cilat do t’u rrëfehen nga  një grup studentësh të degës së historisë në Universitetin e Tiranës.

Sokol Beqiri i quan artin e tij politik. “Fatkeqësisht është politik sepse politika është përzier në jetët tona më shumë se që duhet”, do të thoshte ai.  Në një farë mënyre ky lloj arti i ka ardhur i imponuar nga rrethanat historike. “Nuk kisha llogari të pikturoja lule e gjëra gazmore kur njerëzit po vdisnin para syve të mi”. Duke reaguar ndaj realitetit ku jetonte, kështu arti i tij u bë shprehi e qartë politike. “Gjithmonë jam munduar të reagoj në mënyrë sa më të drejtpërdrejtë ndaj rrethanave, fenomeneve dhe skenave rreth meje. Pasi politika dhe lufta pushtuan jetët tona, nuk kisha ku të shkoja.”

Hapësirat imagjinare të Beqirit reflektojnë përpjekjen paradoksale për t’i dhënë fund lëmshit materialist ndërkohë që i jepet formë hapësirës si përgjigje ndaj narrativës së krizës, duke mohuar kushtet e dhunshme raciste, gjinore e heteronormative që përcaktojnë kufijtë e saj të përditshëm. Beqiri ecën në zonë të errët të ideve dhe imazheve, që një platonist do ta quante imitimi i së keqes, shkruante rreth tij Shkëlzen Maliqi, duke u ndalur tek shembujt e performancës në rrënojat e Pazarit të Madh të qytetit të tij të lindjes, Pejës, realizuar në vitin 1999 dhe instilacionin  “Kur engjëjt vonohen”, dy vjet më vonë  dhe videon “Milka” (2000), me subjektin e një thertoreje. Një parabolë e vrazhdë që evokon masakrën e civilëve gjatë luftës në Kosovë dhe më herët, gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, kjo vepër sipas refleksioneve të Maliqit, kishte qëllim më të thellë, atë  të përballjes me përjetësimin e së keqes.

Video ja “Milka”, 2000

Por, më radikalen  nga të gjitha ciklet e veprave  të tij, Maliqi do të cilësonte ku Beqiri merr zhanrin e dokumentarit të luftës dhe e trajton si një shtampë. Për këtë vepër, Beqiri thekson lehtë tri fotografi të viktimave të luftës nga Peja: një djalë i vrarë me thikë, trupi i të cilit u gjet në ujërat e trazuara të Lumbardhit dhe dy viktima të tjerë që ishin vrarë, pasi ishin lyer me benzinë dhe u ishte vënë zjarri. Ka një tmerr të skajshëm të këtyre imazheve, siç e pranon edhe Beqiri, dhe duke i theksuar ato, ai tërheq vëmendjen tek efekti artistik i fotografive dokumentuese, veçanërisht të vëzhguara jashtë kontekstit.

Nga instalacioni “

“Në këtë rast, shprehia e fytyrës së djalit, që pluskon në ujërat e kthjellët të lumit të Pejës, rrezaton me bukurinë e një engjëlli që fle. Dy  fotografitë e trupave të djegur, mbështjellë me batanije dhe ato të djegura, bëhen “kompozim artistik” abstrakt. A sugjeron Beqiri  se ka një art të krimit? A është e durueshme kjo ide? A e denoncon kjo vepër krimin apo diabolizmin ontologjik të vetë artit, i cili bëhet në këtë rast një krim perfekt i imitimit dhe mashtrimit?”, do të shkruante Maliqi, në tekstin prezantues të artistit nga Kosova, në katalogun e ekspozitës “Documenta”, një nga më të mëdhatë në Europë. Por Beqiri ka marrë përsipër sfidën e hedhur nga filozofi gjerman,  Adorno. Nëse ai pyet sesi mundet dikush të shkruajë një poezi që përmbledhë barbarinë e Holokaustit, Beqiri i përgjigjet: duke bërë atë që artistët kanë bërë përherë, duke gjetur mjetet e duhura teknike.

 

Më Shumë