Kombetarja

Social, energjik dhe pozitiv, por më shumë na intereson Silvinjo teknik!

Fatjon Rupi – Silvinjo e ka fituar me pikë të plota pjesën e parë të ‘intervistës së punës’. Trajneri i ri i kuqezinjve ka plotësuar gjithë kriteret jashtë fushe, nuk ka mbetur askush pa evidentuar anët e tij pozitive, që në fakt e bëjnë pak ndryshe nga paraardhësit.

Silvinjo është social, energjik dhe pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet, ndaj dhe në sytë e lojtarëve, futbolldashësve dhe jo vetëm, ai është prezantuar si një personazh mjaft simpatik. E kundërta e Kristjan Panuçit, një ish-trajner i kuqezinjve, me të cilin afrohet më shumë nga mosha.

Silvinjo duke kryer ushtrime me ekipin ne fushe. Gazeta Si, 26 mars 2023

Bashkë me ndihmësit Zabaleta dhe Doriva braziliani ka krijuar një atmosferë pozitive në skuadër, shumë e nevojshme për të ecur përpara. I qeshur, komunikues dhe shumë aktiv në fushën e blertë në praktikimin e ushtrimeve. E gjitha kjo energji e dallon thelbësisht nga Edi Reja, trajneri i fundit i Kombëtares.

Por a mjafton kjo për trajnerin e Shqipërisë? Sigurisht që jo. Tani vjen pjesa më e vështirë e ‘intervistës’ për Silvinjon, ajo tekniko-profesionale. Nga ndeshja e Varshavës braziliani duhet të kompletojë profilin e duhur për të udhëhequr kuqezinjtë, duhet të bindë edhe në aspektin teknik.

Në të kundërt, gjithë anët e mira të trajnerit, të përmendura më sipër, do të mbeteshin vetëm në aspektin human. Ajo që na intereson më shumë ka të bëjë me rezultatet dhe filozofinë e lojës. Që Shqipëria të shkojë për herë të dytë në Europian, duke sfiduar dy kombëtare të mëdha si Polonië dhe Çekia. Me gjeneratën e lojtarëve që kemi, besojmë se mund ta arrijmë.

Silvinjo ne stervitje me kuqezinjte. Gazeta Si, 26 mars 2023

Është një sfidë në fakt edhe për vetë Silvinjon, sepse nga eliminatoret e Euro 2024 varet e ardhmja e tij. Është një mundësi e artë që braziliani të lançohet në botën e trajningut dhe që Shqipëria të stabilizojë stolin jo vetëm për një fushatë kualifikuese.

Në fund të fundit, për Silvinjon dhe stafin e tij FSHF ka shpenzuar më shumë se çdo herë tjetër. Ndeshja e Polonisë do të na tregojë Silvinjon tjetër, atë që na intereson më shumë, Silvinjon si teknik. Mund të mos mjaftojë një 90-minutësh, por sinjalet e para do të duken patjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë