Shendet

Sobat me gaz po sëmurin fëmijët

Sipas një studimi të ri, sobat me gaz po shkelin kufijtë e ndotjes së ajrit dhe po rrisin rrezikun që fëmijët të kenë probleme shëndetësore.

Raporti i OJQ-së për efiçencën e energjisë ‘CLASP’, Aleanca Europiane e Shëndetit Publik (EPHA) dhe Organizata Holandeze për Kërkime Shkencore (TNO) ka treguar se gatimi me gaz bën që nivelet e dioksidit të azotit (NO2) në ambiente të brendshme të tejkalojnë udhëzimet e OBSH-së për cilësinë e ajrit dhe Standardet e BE-së për ndotjen.

“Sobat me gaz prodhojnë gjithashtu monoksid karboni, grimca shumë të imta dhe ndotës të tjerë që mund të shkaktojnë efekte të rënda shëndetësore te fëmijët, veçanërisht sëmundjet e mushkërive”, shkruhet në raport.

Gjithashtu shkruhet edhe se më shumë se 700,000 raste të astmës së fëmijëve në Europë në vitin e kaluar ishin të lidhura me gatimin me gaz në shtëpi. Kjo shifër përfaqëson rreth 7 për qind të të gjitha rasteve të astmës tek fëmijët në të gjithë Europën.

Rreth 100 milionë njerëz në BE përdorin soba me gaz, duke përfshirë më shumë se gjysmën e të gjitha shtëpive në Itali, Holandë, Rumani dhe Hungari.

Grupet shëndetësore kanë frikë se kriza energjetike e Europës mund ta përkeqësojë këtë situatë.

Sobat me gaz lëshojnë "po aq ndotës sa tymi i dorës së dytë"

“Njerëzit e kalojnë shumicën e kohës në ambiente të mbyllura. Cilësia e ajrit të brendshëm mund të ketë një ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien tonë", thotë CEO e CLASP, Christine Egan.

"Pak njerëz janë të vetëdijshëm për rreziqet e dëmshme që paraqesin pajisjet e gatimit me gaz dhe gatimi i darkës suaj mund t'ju ekspozojë ndaj po aq ndotësve sa tymi i dorës së dytë".

Ajo shton se zyrtarët e Europës duhet t’i marrin parasysh këto rreziqe shëndetësore.

Shoqata Mjekësore Amerikane ka vënë në dukje se sobat me gaz rrisin ndotjen e ajrit në shtëpi, plus dhe ashpërsinë e astmës.

Hulumtimet e kaluara kanë lidhur gjithashtu përdorimin e gazit në shtëpi me ADHD tek fëmijët e vegjël dhe ndikimet negative në sistemin e frymëmarrjes dhe nervor të të rriturve.

Autorët e raportit kanë frikë se rritja e çmimeve të naftës dhe gazit të nxitura nga lufta në Ukrainë mund ta përkeqësojë problemin.

“Ne kemi frikë se cilësia e ajrit të brendshëm mund të bëhet veçanërisht e keqe këtë dimër në shtëpitë që përdorin soba me gaz, pasi njerëzit reduktojnë ajrosjen dhe shmangin hapjen e dritareve për të kursyer gjatë krizës energjetike”, tha drejtoresha e përgjithshme e EPHA, Doktoreshë Milka Sokolović.

A duhet të ndërhyjnë qeveritë për të paralajmëruar për rreziqet e sobave me gaz?

CLASP dhe EPHA thonë se sobat me gaz duhet të hiqen gradualisht me rregullore të reja pasi zyrtarët janë "të detyruar" të mbrojnë shëndetin e njeriut ndërsa bëjnë politika mjedisore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë