Futboll

Slot vlerëson faktorin Mourinjo dhe Romën para finales

Gazeta Si - Përballet nesër me Romën në finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë. Trajneri i Fejnordit, Arne Slot, i druhet faktorit Mourinjo, por pohon se të tijtë duhet të përqendrohen më shumë te skuadra në fushë dhe jo trofetë e portugezit.

Trajneri Slot në stërvitje me ekipin. Gazeta Si, 24 maj 2022

"Mourinjo ka fituar shumë finale, por duhet të përqendrohemi te taktika e skuadrës së tij, si luan ajo në fushë – thekson Slot. – Nuk duhet të merremi shumë me faktin sa finale ka fituar Mourinjo.

Roma luan mirë, sidomos në ndeshjet e rëndësishme. Kjo është parë qartë në ndeshjet me eliminim direkt të kompeticionit”, - ka theksuar më tej trajneri holandez për faqen zyrtare të UEFA-s.

"Vetëm skuadrat më të mira shkojnë në finale. Prandaj është logjike se do të përballemi me një skuadër mjaft të fortë. E njëjta gjë vlen edhe për Romën: edhe ata duhet ta dinë se ndeshen me një kundërshtar të fortë”, - ka shtuar më tej Slot.

Çfarë futbolli luan Fejnordi i tij? “Jemi një skuadër me një mentalitet sulmues. Na pëlqen të mbajmë topin dhe të luajmë me intensitet të lartë. Kur nuk e kemi topin, duam ta rimarrim sa më shpejt dhe bëjmë presing agresiv.

Mendoj se Fejnordi është një skuadër e vështirë për t’u mundur. Ky grup ka kualitetin për të fituar trofe. Nuk fituam titullin ose kupën, por kemi ende një shans në Europë.

Djemtë duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kjo skuadër ka potencialin për të fituar diçka. Këtë duhet ta tregojmë të mërkurën në mbrëmje,”, - ka përfunduar trajneri i Fejnordit, Arne Slot.

Stafi teknik i ekipit holandez ka preferuar që të zhvillojë edhe një seancë të fundit stërvitore sot në stadiumin “Air Albania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë