Futboll

Skuadrat më të pëlqyera, Reali i lë të gjithë mbrapa

Dhjetë kritere, të vlefshme për të gjitha kampionatet kanë prodhuar një renditje që sipas “France Football” përcakton klubet më të rëndësishme, interesante dhe të dashura të futbollit. Dhe siç mund të jetë lehtësisht e imagjinueshme, sipas revistës franceze, Real Madrid është ekipi që qëndron mbi të gjitha. Madrilenët i kanë lënë pas të gjitha ekipet e tjera në këtë renditje, duke u nisur nga këto kritere: Titujt e fituar në rang ekipor, çmimet individuale të futbollistëve, ndikimi në botën e marketingut futbollistik, aktivitetet sociale, arritjet, shitja e bluzave, blerjet e futbollistëve, vlera globale e tregut, numri i kampioneve botërore të pranishëm në ekip, bukuria e stadiumit.

Për secilin kriter është dhënë një pikë e caktuar dhe shuma e këtyre pikave ka lejuar pastaj “France Football” të përpilojë renditjen përfundimtare që i sheh “merengues” të klasifikohen si të parët. Në këtë renditje si në çdo garë tjetër rivali më i madh i “Los Blancos” është Bracelona, që do duhet të kënaqet me një vend të dytë.
Në vendin e tretë të kësaj renditje pozicionohet Mançester Junajtid, që përtej formës së keqe të viteve të fundit, vijon të mbetet një klub i madh. Pas “djalli” ka lënë Bajernin e Mynihut dhe rivalët e përjetshëm në Premier Ligë, Liverpulin. Juventusi si në fushë edhe në këtë renditje është italiania më e mirë, duke u pozicionuar në vendin e 6-të. Pas torinezëve janë francezët e PSG që kanë pësuar një rritje shumë të madhe në vitet e fundit. Ndërsa në tre vendet e fundit të dhjetëshes së parë janë tre ekipe angleze, Çelsi, Mançester Siti dhe Arsenali.

Vetëm vendi i 11-të për Milanin, por që gjithsesi do duhet të jetë e kënaqur, pasi rivalët e përjetshëm të qytetit, Interi janë shumë më poshtë, në vendin e 16-të. Siç shihet edhe në këtë renditje, klubet angleze tregojnë dominimin e tyre në futbollin botëror, pavarësisht se dy spanjollet, Reali dhe Barcelona nuk janë lehtë të kalueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë