Kombetarja

Formacioni kuqezi, një miks i balancuar mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë

Gazeta Si - Nëse shohim me kujdes formacionin aktual të Kombëtares, atë me të cilin trajneri Sivinjo arriti kualifikimin në Gjermani 2024, do të vëmë re një balancë mjaft interesante. Nuk ka të bëjë me aspektin tekniko-taktik. Është një ekuilibër ndoshta sikur të ishte vendosur me dorë mes tre vendeve shqiptare nga vijnë lojtarët e formacionit.

Skuadra e parë aktualisht përbëhet nga 4 lojtarë nga Shqipëria (kanë lindur në Shqipëri, ose kanë origjinën e familjes), po kaq nga Kosova dhe 3 nga Maqedonia e Veriut. Një miksim i bukur, që bashkon edhe më fort tifozët shqiptarë dhe jo vetëm.

Nga Shqipëria në formacionin e Silvinjos zënë vend mbrojtësit Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj, mesfushori Kristjan Asllani dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi.

Nga Kosova kemi portierin Etrit Berisha, dyshen e qendrës së mbrojtjes me Berat Gjimshitin dhe Ardian Asmajlin, si dhe mesfushorin Ylber Ramadani, ndërsa nga Maqedonia e Veriut është treshja që mbështet Cikalleshin në sulm: Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Taulant Seferi.

Tre vende të shkrirë në një skuadër Kombëtare në mënyrë thuajse të barabartë. Mund të ketë qenë thjesht rastësi në zgjedhjet e trajnerit Silvinjo, por është vërtet i bukur ky kombinim, për t’i ‘kënaqur’ të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë