Kombetarja

Skocia plot me mungesa, mundësi e për fitoren e dytë të kuqezinjve

Shqipëria ka mungesa të rëndësishme për ndeshjen e së shtunës me Skocinë, e fundit për të në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të synojnë fitoren e dytë në grup pa Elseid Hysajn dhe Migjen Bashën të skualifikuar, por edhe disa të tjerë të dëmtuar, të fundit Rei Manaj dhe Ermir Lenjani. Por pozitiv për kuqezinjtë është fakti se edhe kundërshtari është goditur nga “epidemia” e mungesave. Disa nga titullarët e ndeshjes së parë me Skocinë nuk do të jenë të shtunën në “Loro Boriçi”, që do të thotë se shtohen shanset e Shqipërisë për ta mbyllur me 6 pikë grupin.

Neismith (numri 9), autori i golit të dytë në Skoci, mungon të shtunën

Sulmuesit Li Grifiths dhe Stiven Neismith nuk janë në dispozicion të trajnerit Meklish për arsye dëmtimi. I pari u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen e parë, kurse i dyti shënoi golin e dytë për Skocinë dhe u shpall lojtari i ndeshjes. I fundit në listën e gjatë të mungesave të skocezëve është mesfushori Rajan Xhek, shok skuadre me Eros Grezdën te Rejnxhërsi. Ai ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Rejnxhërsi fitoi 7-1 dhe Grezda shënoi dy herë. Trajneri Meklish e kishte grumbulluar këtë futbollist pas shpalljes së listës, për shkak të mungesa që kishte, por edhe ai nuk ia ka dalë. Mbrojtësi Majk Devlin ka gjithashtu probleme fizike te Skocia. Jashtë listës së trajnerit Meklish janë lojtarë të rëndësishëm si MekDonald, Kerni, Riçi dhe Mulgreu, të katërt për shkak dëmtimi.

Portieri titullar i Skocisë, Gordon, pësoi një dëmtim në ndeshjen e Ligës së Europës të Selltikut me Lajpcigun dhe trajneri është vënë në alarm. Ai ka grumbulluar disa lojtarë të rinj, siç janë Bates, që aktivizohet me Hamburgun në Gjermani, dhe Bain, portierin e dytë të Selltikut.

Si luajtën dy ekipet në ndeshjen e parë
Skocia:
A.MekGregor, Sutar, Mulgreu, Tiernei, O’Donell, Robertson, MekGin, MekDonald (Amstrong), MeGregor (MekTominei), Rasëll (Grifiths), Naismith.
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Veseli (Mihaj), Gjimshiti, Binaku, Lilaj, Xhaka, Memushaj, Ndoj (Manaj), Balaj, Gavazaj (Prenga).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë