Futboll

Skënderbeu largon trajnerin Migen Memelli, e zëvendëson Skënder Gega

Migen Memelli e paralajmëroi dorëheqjen si trajner i Skënderbeut që pas humbjes me Dinamon, ndërsa sot klubi korçar ka zyrtarizuar mbylljen e bashkëpunimit me të. Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet se marrëveshja është mbyllur me mirëkuptim.

Skënderbeu mban vendin e fundit në renditje, me vetëm 17 pikë në 24 javë, që do të thotë se shanset e qëndrimit në elitë janë minimale tashmë. Memelli e mori drejtimin e këtij ekipi sezonin e kaluar dhe në fund ia doli ta mbante në Superiore, kurse këtë herë ai u dorëzua.

Skënder Gega kur drejtonte Partizanin. Gazeta Si, 9 mars 2022

Pak orë pas largimit të Memellit, klubi korçar ka bërë të ditur se trajneri i ri i Skënderbeut do të jetë Skënder Gega. Presidenti Ardian Takaj ka arritur akordin me ish-trajnerin e Partizanit, Kukësit dhe Kombëtares U-21. Gega doli kampion me Partizanin pak sezone më parë. Ai tani synon tv shpëtojë Skënderbeun nga rënia dhe do të debutojë në stolin korçar ndaj Laçit.

Skënderbeu është skuadra e 7-të e Superiores që ndërron trajnerin këtë sezon, pas Laçit, Egnatias, Teutës, Partizanit, Dinamos dhe Kastriotit. Deri tani nuk kanë bërë lëvizje në stol vetëm Tirana, Kukësi dhe Vllaznia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë