Futboll

Skënderbeu nuk shuhet, Ilir Daja merr në dorë ekipin korçar

Mes shumë aludimesh dhe ideve që qarkulluan këto javë për fatin e Skënderbeut dhe të kampionatit shqiptar, kjo e mërkurë i ka dhënë përgjigjet më të prera. Skënderbeu nuk shuhet, qëndron në superiore dhe projekti vazhdon me një “mjeshtër” si Ilir Daja.

Trajneri tiranas që e çoi Skënderbeun në majat e futbollit shqiptar dhe atij europian do ta marrë në dorë ekipin për sezonin e ri. Ende nuk ka ardhur prezantimi dhe konfirmimi zyrtar, por nuk ka dilema, pasi Daja do të jetë trajneri i ri i korçarëve.

Pas një takimi me presidentin, Ardian Takaj, Daja është bindur për projektin dhe do të veshë tutat për të bërë gati Skënderbeun në sezonin e ri. Do të jetë një ekip ndryshe, nuk pritet të ketë blerje të bujshme, apo shpenzime të mëdha, ashtu siç ishim mësuar të shikonim pak vite më parë në Korçë, por gjithsesi një ekip që do të kërkojë të renditet në mesin e më të mirëve të kampionatit.

Në ditët në vijim pritet të vijnë edhe lëvizjet e para të Skënderbeut në merkato. Do të ketë disa afrime me fokus të veçantë tek të rinjtë që mund të promovohen dhe më pas të shiten në tregun ndërkombëtar, ku sigurisht, Ilir Daja pritet të ketë dorë të lirë. Trajneri 3 herë kampion i Shqipërisë, do të krijojë një ekip nga e para, pasi te Skënderbeu shumë pak lojtarë kanë mbetur nga sezoni i shkuar dhe akademisë do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë