Futboll

Skënderbeu në krizë, Luftëtari befason në Korçë

Temperaturat shënonin zero gradë kur nisi ndeshja e Skënderbeut me Luftëtarin në Korçë dhe shpresohej në një fitore të kampionëve në fuqi për ta ngrohur atmosferën, por ka ndodhur e kundërta. Fundi i ndeshjes ka parë Luftëtarin fitues dhe Skënderbeu ka “ngrirë”, duke konfirmuar krizën që po kalon prej javësh.

Plot 5 gola janë shënuar në stadiumin e Korçës dhe ndeshja është mbyllur 2-3, një rezultat që pakkush e kishte menduar para se të luhej kjo sfidë. Bregu shënoi golin e parë për korçarët, i ndihmuar nga një devijim i Xhekson. Por më pas shkoi gjithçka keq për Skënderbeun. Luftëtari barazoi me Demon, që luante titullar në këtë ndeshje, më pas kapiteni Radas shkaktoi autogol, ndërsa Demte u dëmtua dhe përfundoi në spital. Bregu e ktheu Skënderbeun në lojë me golin e dytë personal dhe pritej prëmbysja e korçarëve, që nuk erdhi kurrë.

Rezultati mbeti i mbërthyer në 2-2 deri 6 minuta para fundit të ndeshjes, kur arbitri i ri Llapra u bë protagonist me një penallti shumë të diskutuar në favor të Luftëtarit. Pavarësisht kontestimeve të lojtarëve të Skënderbeut, nuk ndryshoi asgjë dhe sulmuesi Shkurtaj u tregua i saktë, duke shënuar golin me vlerën e tri pikëve për skuadrën e tij. Luftëtari largon krizën në një farë mënyre, pasi me këtë fitore lë pas Tiranën, Kamzën dhe Kastriotin. Tani pret që drejtuesit të japin pagat e prapambetura.Trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani, pranoi pas ndeshjes se do ta kënaqte edhe një pikë në Korçë.

Skënderbeu ka javë që po zhgënjen, duke mbetur në kuotën e 30 pikëve. Ishte humbja e tretë radhazi për korçarët, e dytë brenda në shtëpi, çka tregon qartë se diçka nuk shkon. Ndoshta ekipi ka probleme të tjera, që po i reflekton në fushë. Nga kryesues, Skënderbeu ka zbritur në vend të katërt. Trajneri Orges Shehi ka theksuar pas humbjes se ishte i kushtëzuar në zgjedhjet e tij, ndërkohë që shprehu pakënaqësi për gjykimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë