Futboll

Skënderbeu me sytë nga KAS-i, zhvillohet sot seanca dëgjimore në Lozanë

Prej kohësh Skënderbeu është në një betejë ligjore me UEFA-n. Çështja vazhdon në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, ku klubi korçar shpreson të fitojë të drejtën e tij dhe të heqë dënimin prej 10 vitesh jashtë Kupave të Europës, të dhënë nga UEFA gati tri vjet më parë.

Në Lozanë zhvillohet sot seanca dëgjimore dhe klubi Skënderbeu përfaqësohet nga presidenti Ardjan Takaj, djali i tij Gerhard Takaj, i cili mban postin e administratorit të klubit dhe nga një studio ligjore e huaj. Kjo seancë dëgjimore, sipas informacioneve të marra në rrugë jo zyrtare pranë klubit korçar, pritet të zgjasë deri në orët e vona të pasdites. Nga drejtuesit e Skënderbeut pretendohet se dënimi 10-vjeçar është dhënë pa fakte, ndaj dhe ata e kërkojnë të drejtën në KAS. Kjo gjykatë nuk do ta marrë sot vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen. Pas seancës dëgjimore, KAS-i ka 30 ditë afat për të dhënë vendimin.

Në Korçë pritet me shumë interes fjala e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, me shpresën e fitores, por tifozët e Skënderbeut duhet të presin edhe pak kohë për të mësuar vendimin. Një vendim që ndikon edhe në kampionatin aktual, ku Skënderbeu mban vendin e 4-t aktualisht dhe pjesëmarrja ose jo e tij në Kupat e Europës ka shumë rëndësi edhe për disa ekipe të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë