Futboll

Skënderbeu-Kukësi ngre siparin e “kampionatit” të ri, pa Kamzën

Prej javës së 25-të, në Superiore nis një “kampionat” i ri, pa Kamzën e përjashtuar nga çdo aktivitet për shkak të dhunës ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti. Ishte pikërisht kjo ngjarje që solli bojkotin e arbitrave dhe ndërprejen për një javë të kampionatit për të gjitha kategoritë. Në Superiore nuk luhen më pesë ndeshje në javë, por katër. Luftëtari është ekipi i parë që do të marrë 3 pikët në tavolinë, pasi, sipas kalendarit, duhej të ndeshej me Kamzën këtë fundjavë.

Siparin e kësaj jave e ngre sfida e Korçës, ku Skënderbeu pret Kukësin, që ka ende shpresa për titullin kampion. Kuksianët janë 6 pikë pas Partizanit kryesues (50 pikë) dhe ndeshja me Skënderbeun përcakton shumë gjëra. Një ndalesë e Kukësit, e kombinuar me fitoren e mundshme të Partizanit ndaj Teutës, do të shuante shpresat e titullit për ekipin e Armando Cungut. Korçarët, me mendjen të ngritur pas fjalëve të fundit se KAS-i mund t’u japë të drejtë, patjetër që do të synojnë fitoren për të siguruar një vend për në Kupat e Europës. Ata kanë avantazhin se janë më të freskët fizikisht, pasi nuk luajtën në mesjavë ndeshje Kupe. Po ashtu, do të kenë mbështetjen e tifozëve të tyre në këtë 90-minutësh dhe stafi teknik ka të gatshëm edhe Dejvi Bregun, ndërsa kundërshtari ka disa mungesa.

Nga një ndeshje mes Partizanit dhe Teutës këtë sezon

Tri ndeshjet e tjera të javës së 25-të luhen ditën e diel dhe për t’u veçuar është çifti Partizani-Teuta. Partizani vjen nga një gabim në Kupën e Shqipërisë, ku u mund nga Luftëtari 1-2. Në kampionat gabimet janë të ndaluara, por kuptohet që ndikim në këtë ndeshje do të ketë edhe rezultati i sfidës së Korçës, që të dyja skuadrat do të kenë mësuar, pasi Skënderbeu-Kukësi luhet të shtunën. Presioni është mbi të kuqtë, të cilët duhet të ruajnë kreun dhe të thellojnë diferencën me vendin e dytë, ndërsa Teuta po kalon një moment të vështirë dhe do të kënaqej vetëm me fitoren.

Tirana, që në javët e fundit ka pasur rritje, ndeshet me Kastriotin në Fushë-Krujë dhe ka shansin të marrë tri pikët, kurse Laçi, pas goditjes së rëndë në Kupë dhe ardhjes së Sulejman Starovës në stol, pret Flamurtarin me synimin e qartë për të bërë kthesën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë