Futboll

Skënderbeu ka shokë, UEFA përjashton klubin belg për trukime

Trukimi i ndeshjeve të futbollit nuk është një fenomen shqiptar, por një fenomen botëror. Aktualisht është një nga plagët më të rënda të futbollit, që UEFA dhe FIFA po përpiqen ta luftojë me të gjitha format. “Qeveria” e futbollit europian ka përjashtuar nga Liga e Europës klubin belg të Meshelenit. Vendimi është zyrtar dhe është publikuar në faqen e UEFA-s.

Mesheleni, pas një procedimi të parë disiplinor, që e kishte konfirmuar në Ligën e Europës, në fazën me grupe të saj, është dënuar më parë nga Gjykata e Sportit në Belgjikë. UEFA ka anuluar së fundi vendimin e 15 korrikut 2019 për ta pranuar këtë ekip në kompeticionet e saj, duke hapur një procedim të ri. Për rrjedhojë, UEFA do ta zëvendësojë Meshelenin në fazën e grupeve të Ligës së Europës me një tjetër ekip, në bazë të nenit 4.08 të rregullores së saj. Skuadra belge është akuzuar për tentativë trukimi të një ndeshjeje në kampionat dhe ka marrë një dënim në Belgjikë për këtë çështje.

Ekipi i Meshelenit feston fitimin e Kupës së Belgjikës

Me përjashtimin e Meshelenit, Standard i Liezhit fiton të drejtën të luajë në grupet e Ligës së Europës, ndërsa Antverpe avancon një tur eliminator në këtë kompeticion. Në të njëjtën kohë, Genti, që fillimisht ishte jashtë Kupave të Europës, do të marrë pjesë në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës. Me sa duket, Skënderbeu, ekipi shqiptar i dënuar me 10 vjet jashtë Europës nga UEFA për trukim ndeshjesh, ka shokë. I fundit është Mesheleni i Belgjikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë