Futboll

Skënderbeu i vetmi fitimtar, mposhtet më në fund Flamurtari

Ndoshta i frymëzuar nga festa e Pashkës, që në Korçë festohet më shumë se kudo tjetër në vendin tonë, Skënderbeu ia doli të fitojë 2-0 përballë Flamurtarit, që po befasonte javët e fundit në Superiore, duke arritur rezultate të mira, pavarësisht problemeve me pagat.

Skënderbeu është fitimtari i vetëm i javës së 31-të të Superiores dhe Flamurtari rrjedhimisht ekipi i vetëm humbës. Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave u mbyllën në barazim. Blerim Krasniqi dhe Gjergji Muzaka janë autorët e dy golave për skuadrën e trajnerit Orges Shehi, që po përpiqet të sigurojë një vend për në Europë, gjithmonë duke shpresuar se KAS-i do t’ia heqë dënimin. Sulmuesi i ri realizoi një gol mjaft të bukur në pjesën e parë, me një gjuajtje të fuqishme në hyrje të zones, ndërsa në pjesën e dytë ai fitoi një 11-metërsh, që u kthye në gol nga Muzaka.

Skënderbeu feston golin e Muzakës me penallti

Vlonjatët janë thyer pas shumë javësh, por qëndrojnë sërish në vendin e tretë, me 48 pikë, 1 më shumë se Teuta rivale. Korçarët, pas kësaj fitoreje, kanë parakaluar Laçin në renditje dhe mbajnë vendin e 5-të. Javët e mbetura do të jenë vendimtare sa i takon objektivit pët të shkuar në Kupat e Europës, ndërkohë që Skënderbeu ka shanse për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë. Ndeshjen e parë gjysmefinale me Kukësin e ka humbur 2-1, por ka shpresa për të shkuar në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë