Futboll

Skënderbeu dhe Teuta, sot duel në distancë për vendin e 2-të

Laçi dhe Flamurtari, me fitoret e djeshme, përkatësisht ndaj Tiranës dhe Kamzës, i janë afruar shumë zonës europiane, por llogaritë duhen bërë pas dy ndeshjeve të sotme, Skënderbeu-Luftëtari dhe Kastrioti-Teuta, që mbyllin javën e 17-të të Superiores, e parafundit për këtë vit kalendarik.

Skënderbeu dhe Teuta, pas barazimit të Partizanit me Kukësin, do të synojnë vetëm fitoren për të marrë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. I favorizuar është ekipi korçar, që ndodhet një pikë para Teutës dhe me një fitore të mundshme ndaj Luftëtarit, shkon në kuotën e 33 pikëve, 3 më pak se të kuqtë kryesues. Trajneri Orges Shehi nuk ka të gatshëm në ndeshjen e sotme mesfushorin Bruno Dita, për shkak kartonësh, por edhe sulmuesin Blerim Krasniqi, i cili nuk është rikuperuar ende. Gjirokastritët vijnë pas një jave të trazuar nga problemet e theksuara financiare.

Teuta feston golin ndaj Partizanit

Nëse Skënderbeu nuk fiton, Teuta është gati të përfitojë menjëherë. Durrsakët luajnë në transfertë me Kastriotin e vendit të fundit dhe me formën që po kalojnë, i kanë të gjitha mundësitë për të shkuar në kuotën e 32 pikëve. Trajneri Bledi Shkëmbi dhe të tijtë janë të vendosur jo vetëm për të shkuar në Europë këtë sezon, por ata besojnë se mund të rivalizojnë edhe për titullin kampion. Sipas të gjitha gjasave, vendi i dytë do të ketë sot një pronar të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë