Futboll

Skënderbeu del nga “tuneli”, fiton pas 6 humbjeve radhazi

Kishte 7 ndeshje pa fitore Skënderbeu (6 humbje dhe 1 barazim) dhe më në fund ka dalë nga “tuneli i errët”. Skuadra korçare ka mposhtur 2-1 Laçin në fushën e saj, në një mot me shi, që kishte kushtëzuar edhe praninë e tifozëve në stadium. Edhe pse sërish me shumë mungesa, Skënderbeu ia ka dalë të ndalë serinë e humbjeve dhe të fitojë sadopak qetësi pas javës së 21-të të kampionatit. Korçarët ngjiten në kuotën e 33 pikëve, në vend të 4-t, duke parakaluar pikërisht Laçin, që e kishin përpara në renditje.

Ndeshja u zgjidh në pjesën e dytë nga Blerim Krasniqi dhe kroati Marko Pervan. I pari shënoi me kokë, kurse i dyti me një 11-metërsh të fituar nga vetë ai. Në pjesën e parë Pervan kishte goditur edhe shtyllën e Selmanit. Koha shtesë riktheu makthin te korçarët, pasi Laçi shkurtoi diferencën në minute e fundit me një 11-metërsh, që u gjuajt nga portieri Selmani.

Korçarët festojnë golin e Blerim Krasniqit

Skënderbeu kishte emergjencë në mbrojtje, ku veç Alitit të larguar tashmë nga skuadra, mungonte edhe kapiteni Radas. Shiritin e kapitenit e mbajti në krah Kristi Vangjeli, ndërkohë që Jorgo Pëllumbi luajti titullar në mbrojtje, në krah të afrikanit Kaba Sambou. Mungesa e madhe e korçarëve është ajo e vlonjatit Dejvi Bregu. Laçi pëson humbjen e dytë radhazi dhe komplikon pozitat për objektivin europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë