Politike

Skenari i Qeverisë, tre lagje të reja në Tiranë, Durrës e Laç

Qeveria është duke studiuar disa skenarë si zgjidhje për problemin e strehimit të përhershëm të banorëve të mbetur jashtë pas tërmetit të 26 nëntorit mes të cilëve me i favorizuari duke ndërtimi brenda vitit 2021 i të tre lagjeve të reja në Tiranë, Durrës dhe Laç.

“Ne e kemi nisur punën për pjesën e planifikimit për disa skenarë dhe skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare, jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri më tani”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë këtë të martë.

Ndërtimi i lagjeve të reja sipas këtij skenari propozohet në Durrës, Tiranë dhe Laç. Për Durrësin dhe Laçin skenari i ndërtimit të këtyre lagjeve është më i qartë, ndërsa për Tiranën ka një dilemë që lidhet me ndërtimin e një lagjeje të madhe në zonën e Kasharit, apo dy lagjeve më të vogla, një në Kombinat dhe një në Shkozë.

“Të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re që të jetë lagjja më e bukur e Durrësit pas ’90, pa diskutim. Një lagje nga e para me infrastrukturë, kanalizime, ujësjellës dhe të gjithë parametrat e tjerë. Në Tiranë kemi në diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re të madhe dhe një skenar për të ndërtuar dy më të vogla. Do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatitet. Në Kurbin gjithë pallatet që kemi vizituar dje do t’i shembim dhe do të ndërtojmë një lagje të re me parametra komplet të tjerë, totalisht”, deklaroi Kryeministri.

Sa për kapacitetin e strehimit, Rama foli për 10 mijë apartamente, duke shpjeguar edhe pse.

“Ambicia ime është që të kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh në tërësi dhe afatshkurtër prej 5 mijë apartamentesh. Pse 10 mijë? Kështu mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtpërdrejtë të prekur nga fatkeqësia, por edhe të tjerë që janë me probleme sociale, por edhe për nevojën e një skemë që të mos bëjmë gabimin e bërë në vende të tjera, gabimin e bërë në periferitë e kryeqyteteve dhe qyteteve europiane, ku lagjet e reja krijuan vatra njerëzish të margjinalizuar, të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi edhe tensione të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Rama kërkoi që emergjenca për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti të mos cenojë parametrat kryesorë të buxhetit.

“Këtu sfida nuk është dhe nuk mund të kthehet në një sfidë që të rindërtojmë këtë që u detyrohemi këtyre njerëzve të goditur nga fatkeqësia dhe të godasim pjesën tjetër të popullsisë duke goditur ekonominë. Sfida është që t’i bëjmë të dyja. Të sistemojmë njerëzit dhe të mos prekim parametrat kryesorë të buxhetit dhe të mos tërhiqemi nga objektivi i rindërtimit”, sqaroi ai.

Kryeministri kërkoi që programi i rindërtimit të shihet më shumë si një mekanizëm për të rritur ekonominë dhe jo për ta goditur atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë