Drejtësia

Skemë mashtrimi me TVSH-në. Dëmi mbi 3 mln euro, 13 të arrestuar në disa kompani private

Gazeta Si - Zbulohet një skemë mashtrimi me fatura fiktive që dyshohet se i kanë shkaktuar një dëm prej 3 milionë eurosh shtetit shqiptar.

Prokuroria e Tiranës po heton 13 kompani që dyshohet se kanë vjedhur shtetin nëpërmjet skemave të mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Kompanitë për të cilat po hetohet, kanë lëshuar fatura fiktive, duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor.

Për personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, janë dhënë 13 masa sigurie “arrest me burg” dhe 4 masa “detyrim paraqitje”, ndërkohë dyshohet se janë të përfshirë edhe disa punonjës të administratës.

Faturat fiktive nga skema e mashtrimit të kompanive, janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale 1,257,082,590 lekë, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe TF, afërsisht 300,000,000 lekë.,

Sipas Prokurorisë, këto të fundit, me kontabilizimin e kësaj vlere kanë ulur pagesën e TVSH-së mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore kanë ulur normën e TF.

Subjektet bashkëpunonin me njëra-tjetrën dhe kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”.

Nga ky aktivitet kriminal, shtetasit nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga mos pagimi i detyrimeve tatimore dhe përfitimi i tyre në mënyrë të kundraligjshme, duke shkaktuar një dëm monetar dhe financiar shtetit në vlerën mbi 3 milionë euro.

Gjithashtu, dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi, janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë