Drejtësia

Skemë abuzimi me pronat, Manja kallëzon në SPAK drejtoreshën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Gazeta Si - Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Jonida Baçi është kallëzuar në SPAK nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Në një dalje për mediat, Manja tha se ajo është përfshirë në skema abuzimi me pronat përmes skemave që kanë prodhuar korrupsion thelbësor.

Manja zbuloi se Baçi është shkarkuar para pak ditësh nga kjo detyrë nga kryeministri Rama pas propozimit të tij.

Sipas tij, hetimet e Njësisë Antikorrupsion kanë dokumentuar në skema abuzimi edhe zyrtarë të tjerë të Agjencisë së Trajtimit të Pronavenë Shqipëri.

Kjo është ndoshta goditja më e rëndësishme dhe hetimi më serioz i zhvilluar nga Njësia Antikorrupsion, - u shpreh Manja gjatë konferencës për shtyp. -Zyrtarja më e lartë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe disa drejtues rezultojnë të implikuar në veprimtari abuzive përmes skemave që kanë prodhuar korrupsion thelbësor. Kam firmosur kallëzimin që do t’ja drejtoj SPAK-ut dhe është radha e SPAK të thellojë më tej hetimet e nisura”.

Ministri bëri të ditura dy skema të dyshuara për korrupsion nga drejtoresha e ATP dhe vartës të saj.

“Janë dy skema të dokumentuara nga ana jonë. Ish-pronarët, të cilët disponojnë vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave për kompensim financiar dhe fizik të pronave të tyre, i disponojnë këto vendime për një kohë të gjatë në pritje të marrjes së kompensimit por edhe të kompensimit fizik të pronës, gjë të cilën nuk kanë mundur ta realizojnë deri më sot. Në këto kushte janë detyruar t’i shesin vendimet e tyre tek sekserë dhe ndërmjetës, të cilët sapo i kanë marrë dhe i kanë blerë këto të drejta reale mbi pronat e ish-pronarëve, çuditërisht menjëherë kanë aplikuar në ATP dhe janë kompensuar 100% financiarisht por janë kompensuar edhe me sipërfaqe të tëra pronash në vendet më turistike të Shqipërisë me përparësi zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor”.

Manja dha detaje edhe për skemën tjetër të abuzimit të kompensimit financiar të ish-pronarëve.

“Pronat e tyre, janë zënë me ndërtesa informale të legalizuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ish-pronarët depozitojnë kërkesën për t’u kompensuar financiarisht, - deklaroi Manja. - Sipas taktikës që vetë agjencia e ka vendosur si standard, skema e kompensimit do ndjekë rendin kronologjik të vendimeve që vijnë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës”.

Manja theksoi se “ka ish-pronarë që presin nga 1 deri në 5 vjet për të marrë shuma qesharake, ndërkohë në anën tjetër kemi ish-pronarë që brenda një harku kohor 1-17 ditë, janë kompensuar në shuma marramendëse, deri dhe në 500 milionë lekë të vjetra. Ka dyshime për abuzime dhe shpërdorim detyre nga ana e zyrtarëve të Agjencisë së Kthimit të Pronave”, shtoi ministri.

Manja edhe një herë këmbënguli se institucioni që ai drejton nuk i druhet asnjë lloj presioni, sa i përket luftës së qeverisë kundër korrupsionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë