Treg

Skema e re e TVSH-së, bizneset braktisin tregun. Rriten çmimet për konsumatorin

Sabina Veizaj - Qeveria ende nuk është trembur nga efektet që do të ketë skema e re e TVSH-së për produktet primare bujqësore dhe deri më tani nuk ka asnjë reagim prej saj ndaj deklarimit për bojkot të prodhimeve vendase pas 14 marsit.

Në Fletoren Zyrtare është botuar tashmë udhëzimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, të ndryshuar”.

Kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi e konsideron përgatitjen e udhëzimit si një gjest për t'u mbyllur gojën grupeve të interesit dhe për të eliminuar kontradiktën ligjore që linte hapësirë për tu interpretuar ndryshe.

Ndoshta ishte edhe një rrugëdalje nga situata e krijuar, thotë Zusi për Gazetën “Si”, por administrata tatimore ka vepruar në këtë fromë për të mbyllur çdo shteg për zgjidhjen që kërkon industria.

“Nuk besojmë se ky është vullneti politik. Natyrisht nuk kemi më besim se teknicienë do ta zgjidhin, apo kanë vullnetin dhe dëshirën për ta zgjidhur, por kemi bindjen se nuk është vullneti i politikës. Ne do të shpresojmë deri në fund se politika do ta shfuqizojë atë ligj”.

Edhe Profesor Kristaq Berxholi, i Univeristetit Bujqësor të Tiranës, e sheh me shqetësim situatën.

“Sipas meje, të gjithë këtë ndikim të rritjes së TVSH-së, do ta paguajë konsumatori. Rritja e çmimit të produktit të prodhuar duhet të shoqërohet me rritjen e cilësisë së tij. Qumshti pa aflatoksina dhe ngarkesa të tjera. Tregtimi konform kërkesave me ftohës, kushte, etj. Në këto kushte, fabrikat e qumshtit edhe mund ta blejnë këtë qumësht cilësor dhe ata, mandej, do ta shesin jo sa është tani, por më shtrenjtë. Ndoshta, duke marrë parasysh se bujqësia është shtëpi pa çati, pa subvencione, rritja e TVSH-së, nuk më duket se është bërë mbi bazën e një studimi serioz, sidomos për pasojat e tij”, thotë profesor Berxholi për Gazetën “Si”.

Industria grumbulluese, përpunuese, eksportuese me të vërtetë numëron 53 biznese, por ajo zë 95 % të tregut në vend, e cila nëse qeveria nuk reagon, kërcënon me braktisje totale të tregut vendas.

Uran Derri nga AFI (Albanian Food Industri) thotë se më 14 mars do të bojkotohet çdo lloj produkti që funksionon me ligjin e fermerit. Bllokimi i parë do të jetë 3-4 ditë që përkon me fundjavën dhe ditën e hënë.

“Pasi të premten do të kenë furnizime marketet, të shtunën më pak, të dielën do të zbrazen e të hënën do të jetë goditja më e madhe. Furrat e bukës, mjediset ku shiten fruta-perimet, qumësht, etj, do të jenë bosh.”- thotë Uran Derri.

Bizneset do të presin reagimin e qeverisë mandej e nëse nuk do të ketë ende reflektim ky bojkot do të bëhet në të njëjtën masë dy javë rresht. E nëse sërish do të mungojë reflektimi i qeverisë, bizneset e kësaj industrie kanë rënë dakord për ngritjen e një strategjie për tu furnizuar në rajon duke braktisur totalisht çdo produkt vendas.

Urani shpjegon se kjo formë proteste bëhet për të informuar publikun që sipas tij ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e situatës, sepse në fund, thotë ai, konsumatori e pëson.

“Kur të shohin tregjet bosh, do ta mësojnë dhe kuptojnë që rëndon mbi ta. Duke u furnizuar jashtë, ne do të ngremë të gjitha çmimet sepse na shtohen kostot. E mandej gjithë feremerët do të mbesnin pa punë sepse e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të punojnë në fermat e tyre.”- sqaron Urani.

Udhëzimi

Norma e kompensimit të fermerëve

Norma e kompensimin për fermerët dhe TVSH-ja e shënuar në faturë nga grumbulluesi aplikohet në masën 6%. Personi i tatueshëm blerës, krediton kompensimin prej 6%.

Detyrimet e fermerit

Fermeri, për të përfituar nga skema e kompensimit duhet të regjistrohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore për t’u pajisur me NIPT brenda dy ditësh pune. Drejtoria Rajonale Tatimore pajis me certifikatë NIPT-i fermerin, duke shënuar si emër “Fermeri A.B.” dhe NIPT-in që gjeneron sistemi.

Detyrimet e personit të tatueshëm

Shoqëria grumbulluese që merr furnizimin, përpara se të lëshojë faturën e parë në emër të fermerit, duhet të njoftojë Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse që është aplikues i skemës së kompensimit të fermerit duke i bashkëngjitur dhe marrëveshjen me fermerin.

Mënyra e faturimit

Në lidhje me mënyrën e plotësimit të faturës tatimore, konsultohuni me shembullin në pikën 2 të nenit 11 të udhëzimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë