Kombetarja

Histori kuqezi – Rekordet e Kombëtares, nga fitoret te vendi i parë në grup dhe talentet

Mendrit Shehu- Ky sezon i Kombëtares do të mbahet mend gjatë për shumë statistika e rekorde të veçanta që u regjistruan në përfundim të edicionit të UEFA Nations League 2020, si përsa i përket rezultateve ashtu edhe për përfitimet që mori kjo skuadër në kompleks. Në fakt, kjo është hera e parë që Kombëtarja shqiptare renditet e para në grup në një turne ndërkombëtar. Në dy raste kur ka ndodhur kjo arrite në të kaluarën nuk bëhet fjalë për të tilla përmasa. Edhe kur Shqipëria u kualifikua për në Europianin “Francë 2016”, që është pa diskutim kulmi i suksesit të futbollit shqiptar në histori, e siguroi biletën për në finale pasi ishte e renditur e dyta në grup.

Më 1946-n për Kampionatin Ballkanik në Tiranë, Shqipëria e Ljubisa Brocic ka fituar dy ndeshje brenda vetëm 4 ditëve: 9- 13 tetor 1946: Shqipëria - Bullgaria 3-1 dhe Shqipëria - Rumania 1-0. Në fund të turneut Shqipëria fitoi kupën e Ballkaniadës, që mbahet mend edhe si triumfi i parë historik për futbollin shqiptar.

Një herë tjetër, në vitin 2000, në Turneun “Rothmans” në La Valeta të Maltës, Shqipëria e Medin Zhegës ka fituar 3 ndeshje brenda pesë ditëve. Por këto ishin ndeshje për turne, madje dy turne të fituar prej Shqipërisë.

Turneu “Rothmans”

Përveç kësaj, duhet thënë se nuk kishte ndodhur asnjëherë që Shqipëria të fitonte tre ndeshje brenda 7 ditëve ose brenda 420 orëve: 11 nëntor 2020: Shqipëria - Kosova 2-1, 15 nëntor 2020: Shqipëria - Kazakistan 3- 1 dhe 18 nëntor 2020 Shqipëria –Bjellorusi 3-2! Bëhet fjalë për ndeshje miqësore dhe ato për Ligën e Kombeve.

Krahasimin me këtë rekord të veçantë të këtyre ditëve mund ta bëjmë me atë të dy ndeshjeve miqësore të vitit 1952: Shqipëria - Çekosllovakia 3-2 e 2-1 që janë fituar brenda 9 ditëve, 29 nëntor- 7 dhjetor 1952 në Tiranë, pra jo jashtë Shqipërisë, më Çekosllovakinë e Vaclav Jirës së famshëm.

Shqipёria-Cekosllovakia 2-1. Gol i dytё nё portёn e Cekosllovakisё-Skёnder Jareci-7 dhjetor 1952

Këtë herë Kombëtarja fitoi shumë më tepër sesa thjeshtë prestigji, duke kaluar në Ligën B të Nations League dhe duke përfunduar si e para e grupit, një rekord më vete sepse asnjëherë nuk kishte ndodhur që kuqezinjtë ta mbyllnin një fazë në vendin e parë.

Nëse e analizojmë me kujdes këtë edicion të Nations League janë zbuluar talentet të shumtë që Shqipëria do t’i ketë disa prej tyre edhe për 10 vitet e ardhshme. 37 lojtarë të grumbulluar gjatë këtij edicioni. Me shumë debutues: Albi Doka, Armando Broja, Sherif Kallaku, Xhakomo Vrioni, Enis Çokaj, Ramen Çepele dhe Marsel Ismajgeci. Kulmi arriti me debutimin e Çepeles, djaloshit 17-vjeçar që arriti të thyente rekordin e Qemal Voglit, si lojtari më i ri që ka debutuar në kombëtare. Asnjë ndeshje zyrtare nuk kishte zhvilluar por kjo nuk e ndaloi Çepelen që të bënte një paraqitje të mrekullueshme duke i bërë të gjithë kritiket të tërhiqeshin.

Sidoqoftë, nuk ka vend për entuziazëm, ndonëse dihet, fitoret gjithmonë ngjallin entuziazëm e gëzim. Fitorja është fitore. Më tepër se gjithçka ishte dëshirë, seriozitet dhe këmbëngulje për të fituar. Tri cilësi që bëjnë një skuadër të fortë. Ka vend vetëm për punë. E një punë e mirë, doemos për të ardhmen, ku kombëtarja do të pretendojë të kualifikohet për herë të parë në Botëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë