Njerez

Skandali / Ligji shqiptar e lejon seksin me një fëmijë mbi 14 vjeç për çdo të rritur, çfarëdo moshe

Nga Gazeta ‘Si’ – Një ‘nen pedofil’, bërtiti me të madhe në një dalje televizive Mirgit Vataj, Kryetar i Urdhrit të Punonjësve Socialë, referuar nenit 100 të Kodit tonë Penal sipas të cilit konsiderohen të ligjshme aktet seksuale me persona që kanë arritur moshën 14 vjeç.

Por në realitet, ligji ynë nuk e konsideron si pedofili kryerjen e një marrëdhënie seksuale me dëshirë me një 14 vjeçar/e që ka arritur pjekurinë seksuale edhe nëse pala tjetër është qoftë 30, 45 apo më shumë (çfarëdolloj moshe qoftë ajo mbi 18 vjeç).

Pedofilia në Shqipëri nis në momentin kur kryhet marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Pavarësisht se ç’thonë parimet dhe kjo mund të duket e pamoralshme, avokati Ermal Hamataj në një interpretim ligji për Gazetasi.al thotë se, në fakt është e ligjshme.

Avokati Ermal Hamataj në një interpretim ligji thotë se ndonëse nuk është e moralshme në fakt është e ligjshme.

“Kryerja e marrëdhënieve seksuale nuk është një e drejtë kushtetuese por është një e drejtë jetësore që njeriu e fiton me lindjen. Dhe nëse një 14 vjeçare e cila ka arritur pjekurinë seksuale kryen marrëdhënie me dëshirë me palën tjetër i cili mund të jetë mbi 18 vjeç atëherë nuk kemi të bëjmë me pedofili dhe atë nuk e kap asnjë kod penal.

Një 18 vjeçar, një 40 vjeçar qoftë edhe një 100 vjeçar përpara ligjit kanë të drejta të barabarta”, citon ai për Gazetasi.al duke theksuar që ligji është i prerë dhe nuk ‘flet’ për një ngërç mes tij dhe asaj çka dikton kodi i familjes( sipas së cilit, një 14 vjeçar konsiderohet fëmijë dhe pjekuria nis nga mosha 18 vjeçare).

Por nga ana tjetër nën optikën e psikologes Denata Toçe ky hendek prej 4 vitesh është vrastar për mirëqenien e fëmijës. Ajo mbron kodin e familjes duke shtuar se një i rritur nuk duhet të mendojë se është normale që të kryejë marrëdhënie ndërpersonale me një 14 vjeçar.

Nën optikën e psikologes Denata Toçe ky hendek prej 4 vitesh është vrastar për mirëqenien e fëmijës.

Kjo, sipas saj lidhet me faktin që nuk duhet parë vetëm pjekuria seksuale dhe fizike por mbi të gjitha ajo psiko-emocionale e fëmijës.

“Nëse do të merreshin në konsideratë këto elementë thelbësorë për mirëqenien e fëmijës, do të mbronim të ardhmen e shoqërisë dhe të grupeve vulnerabël për të qenë pre e abuzimeve. Gjithashtu, do të krijonim një atmosferë proactive për këdo që mund të mendojë se të kesh marrëdhënie ndërpersonale me një 14 vjecare, është normale pasi fundja e pranon edhe ligji.

Ngërçi mes asaj që dikton ligji dhe asaj që dikton kodi i familjes është se ai qëndron në interesin e atyre që në fakt nuk janë në anën e atyre që mbrojnë fëmijët. Është fatkeqësi që të vazhdojmë të flejmë në injorancë pa e kuptuar se sa vrastar është ky hendek për mirëqenien e fëmijës”, deklaron ajo për Gazetasi.al ndërsa shton se është i domosdoshëm rishikimi i ligjit.

Ndonëse ligjërisht nuk konsiderohet si pedofili, Toçe shton se papjekuria psiko-emocionale e një 14 vjeçari/eje mund të sjellë trauma serioze.

“Një adult, qoftë ky edhe 18 apo 19 vjeçar (pra që konsiderohet si i tillë pas 18-s), do të duhet të mësohet të përmbahet ndaj një të mituri/e. Ky është një mësim aspak i ‘lodhshëm’ krahasuar me abuzimet që mund të ndodhin kur papjekuria psiko-emocionale është në lojë”, thotë ajo për Gazetasi.al, duke shtuar se së paku, është e domosdoshme që të rritet mosha seksuale në Shqipëri.

Në fakt, jo të rralla kanë qenë rastet kur shoqëria civile ka ndërmarrë iniciativa dhe ka bërë thirrje për rritjen e moshës seksuale në 16 vjeç por deri tani nuk është hedhur asnjë hap konkret drejt ndryshimit të ligjit.

I pyetur nga Gazetasi.al, drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Altin Hazizaj tha se antikapi qëndron në faktin se ndryshimet ligjore në Kodin Penal të premtuara dy vite më parë, nuk dihet në cilin sirtar të ministrisë së Drejtësisë kanë mbetur.

“Deri më tani asnjë reagim apo hap drejt diskutimeve të ndryshimeve në kodin Penal nuk është bërë”, thotë Hazizaj.

“Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 100 të tij përcakton moshën 14 vjeç si mosha kufi minimale në të cilën një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale. Një ligj ky që mbron në raste pedofilie të rriturit që kryejnë marrëdhënie me të mitur”, deklaron ai.

Sipas tij, në këto dy vite është pritur që të diskutoheshin ndryshimet në Kodin Penal ku mes të tjerave do të ishte dhe propozimi për rritjen e moshës së kryerjes së marrëdhënieve seksuale tek të miturit nga 14 që është aktualisht në 16-vjeç.

“Por deri më tani asnjë reagim apo hap drejt diskutimeve të ndryshimeve në kodin Penal nuk është bërë”, thotë Hazizaj.

Drejtori i CRCA thotë se përveç vendeve të lindjes në Europë, tashmë pothuaj të gjitha vendet e tjera e kanë rritur tashmë moshën minimale kufi të hyrjes në marrëdhënie seksuale në 15 dhe 16 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë