Futboll

Skandali i futbollit në Belgjikë, në pranga edhe “peshq të mëdhenj”

Në Belgjikë shpërtheu para pak kohësh një megaskandal bastesh, që kishte të bënte me manipulimin e ndeshjeve të futbollit, ku ishin të përfshirë edhe lojtarë, trajnerë, arbitra dhe drejtues klubesh. Korrupsioni dhe pastrimi i parave janë pista të tjera, ku organet kompetente në Belgjikë po hetojnë aktualisht.

Hetimet vazhdojnë dhe në pranga ka përfunduar së fundi edhe Herman Van Holsbek, një emër shumë i njohur në Belgjikë. Ai ka qenë futbollist për 15 vjet dhe drejtues i klubit të Anderlehtit. Po ashtu, është ndaluar në Montekarlo Kristof Henrotai, prokuratori i portierit të Real Madrid dhe kombëtares belge, Tibo Kurtua, por edhe i shumë futbollistëve të tjerë të njohur. Akuzat në këtë rast janë për korrupsion dhe riciklim parash. Një tërmet i vërtetë në futbollin belg. Bashkë me Henrotai, është ndaluar edhe një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, një ortak në biznes. Të dy janë ndaluar në Montekarlo dhe autoritetet gjyqësore belge kanë kërkuar menjëherë ekstradimin e tyre. Por më shumë bujë ka bërë arrestimi i Herman Van Holsbek, ish-futbollist në vitet ’70 dhe më pas drejtues i nivelit të lartë nga viti 2003 deri në vitin 2018 tek Anderlehti, klubi më i rëndësishëm në Belgjikë.

Kristof Henrotai, prokuratori i njohur belg. Gazeta Si, 13 shtator 2019

Më konkretisht, hetimi është përqendruar te blerja dhe shitja e sulmuesit serb Aleksandar Mitroviç, i cili u bashkua me Anderlehtin në vitin 2013, kur u ble nga Partizani i Beogradit. Më pas u shit te Njukasëlli në Angli, në vitin 2015, për 18 milionë euro. Gazeta belge “Le Soir” shkruan se Van Holsbek dyshohet se ka përvetësuar një shumë të konsiderueshme parash, duke mashtruar në deklarimin e të ardhurave nga ky operacion dhe duke mos paguar taksat. Një histori korruptive që është shumë e thellë në Belgjikë dhe që përfshin shumë transferime lojtarësh të njohur, që sot luajnë në klube të ndryshme të Europës.

Pak kohë më parë në këtë çështje është hetuar edhe për transferimin e mesfushorit Sergej Milinkoviç-Saviç nga Genku te Lacio dhe në skenë doli edhe emri i drejtorit sportiv të këtij klubi, Igli Tare. Emrin e Tares në fakt e përmendën më shumë mediet serbe, sepse autoritetet belge u treguan të kujdesshme në këtë pjesë, duke përdorur termin “drejtues klubi” dhe jo emra konkretë, pasi çështja është nën hetim. Pritet që organet kompetente të zbardhin fakte të reja në lidhje me këtë çështje, që sa vjen dhe thellohet në Belgjikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë