Futboll

Skandal te Vllaznia, kërcënohen lojtarët dhe stafi

Nuk kanë të sosur problemet te Vllaznia. Skuadra kuqeblu kur duket se është në rrugën e mbarë për t’u rikthyer në Superligë pas një viti në “purgator”, sërish nuk gjen qetësi. Klubi shkodran është prekur nga një situatë e sikletshme, ku stafi dhe lojtarët kuqezi janë kërcënuar nga njerëz të jashtëm. Ngjarja që i ndodhi vitin e shkuar Ernest Gjokës, kur Vllaznia po binte nga kategoria, është përsëritur edhe këtë herë me Agim Canajn, por edhe me administratorin, Suad Lici.

Nga Shkodra mësohet se ekipi nuk e ka zhvilluar seancën stërvitore, pas disa kërcënimeve që kanë shkuar në adresë të Licit dhe Canajt. Persona të jashtëm kanë ushtruar presion të dy drejtuesit e klubit shkodran në lidhje me lojtarët që duhet të aktivizohen. Kjo gjë nuk është pranuar nga Suad Lici, i cili ka pezulluar stërvitjen dhe ka njoftuar për këtë ngjarje të rëndë kryebashkiaken Voltana Ademi. Kjo e fundit ka thirrur në një takim urgjent të dy drejtuesit e klubit për të mësuar më shumë për ngjarjen. Kryebashkiakja Ademi, bëhet me dije se ka aprovuar vendimin që ekipi të mos dalë sot në stërvitje.

Kjo ngjarje e shëmtuar në klubin e Vllaznisë, nuk ndodh për herë të parë. Edhe vitin e shkuar te Vllaznia trajneri Ernest Gjoka dhe disa lojtarë u sulmuan fizikisht, pasi disa tifozë i bënin ata fajtorë për gjendjen në të cilin ndodhej ekipi, që po binte nga kategoria. Mbetet për t’u parë tashmë se sa do të ndikojë kjo ngjarje në performancën e ekipit në fushë, kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi i kampionatit, ku Vllaznia është fare pranë sigurimit të ngjitjes një kategori më lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë