Futboll

Skandal në FIFA, Katari ka paguar ryshfet për botërorin

Qeveria botërore e futbollit, FIFA është përfshirë nga një tjetër skandal i madh. Sipas asaj që shkruajnë mediet angleze, të cilat citojnë disa dokumente të siguruara nga Al Xhazira, Katari, vendi organizator i botërorit të vitit 2022 ka paguar një ryshfet të majmë për të marrë këtë mandat nga FIFA.

Sheiku i Katarit Hamad bin Khalifa Al Thani, 21 ditë para se të merrej vendimi për vendin organizator të botërorit kishte paguar një kontratë televizive prej 400 milionë dollarësh, 100 milionë më shumë nga sa ishte oferta e mëparshme. Oferta fillestare kishte qenë prej 310 milionë dollarë, e cila përfshinte një bonus prej 100 milionë dollarësh në rast se Katari do të fitonte në garën për organizimin e botërorit, që në fakt e fitoi dhe tashmë përgatitjet në stadiume po shkojnë drejt fundit.

Sipas “The Sun” dhe “The Sunday” pagesat që ka emetuar shteti arab kanë ardhur përmes transmetuesve televizivë që kanë paguar për të drejtën e transmetimit të këtij kompeticioni. Në dy raste kur është vënë në diskutim që Katarit mund t’i hiqet e drejta e transmetimit, në drejtim të FIFA-s janë paguar shumë të majme që kanë shkuar mbi realitetin e pranueshëm për blerjen e transmetimit të këtij kompeticioni. Ky është rasti i radhës që FIFA përfshihet nga skandale financiare, të cilat pak vite më parë çuan deri në largimin e Seb Blater, ish-president. Nga shumë medie këto probleme dhe çështje që dalin në vitet e fundit janë pasoja të drejtimit të Blater, por edhe një tregues që ky institucion nuk është pastruar plotësisht.

 

Më Shumë