Katar 2022

Skaloni heq presionin nga ylli i tij: Nuk është duel Mesi-Mbape!

Gazeta si - "Leo ka thënë se është ndeshja e fundit e tij në Botëror? Atëherë shpresoj të fitojë dhe të përshëndesë duke ngritur Kupën e Botës”, - tha trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, para finales kundër Francës.

"Do të ishte e mrekullueshme dhe akoma më e bukur, nëse ne do ta shijonim këtë moment bashkë me të. Për Mesin do të ishte skena më e mirë për t’u shenjtëruar. Megjithatë, luhet Argjentinë-Francë dhe jo Mesi kundër Mbape. Ndeshja mund të vendoset nga lojtarë të tjerë. Mesin e kam parë në formë dhe shpresoj ta vendosë ai", - shton Skaloni.

Lionel Skaloni, trajneri i Argjentines. Gazeta Si, 18 dhjetor 2022

Trajneri argjentinas sheh një ndeshje të ekuilibruar: “Në fushë do të jenë lojtarë të fortë, si në njërin krah, ashtu edhe në tjetrin. Varet nga detajet. Si ndalet Mbape? Unë mendoj me lojë skuadre më shumë se individualisht. E përsëris, përballë kemi Francën, jo vetëm Mbape, që është lojtar i madh, por ka shokë që e bëjnë edhe më të madh. Jam i sigut se do të bëhet më i fortë me kalimin e viteve".

I pyetur pastaj në lidhje me rreshtimin e skuadrës, Skaloni tha: “Thuhet se finalet fitohen, nuk luhen. Por unë mendoj se para së gjithash finalet duhen luajtur. Duke ditur problemet që mund të të shkaktojë një kundërshtar, ti duhet të mendosh si mund ta vësh ti në vështirësi.

Një ndeshje analizohet dhe punohet për të, nuk mund të mendosh ta fitosh teksa ajo po luhet. Duhet të fitosh çdo duel. Për modulin mund të them se e kam vendosur edhe është ai që mendoj se mund t’i krijojmë më shumë probleme Francës".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë