Gazeta Si – Në 24 orët e fundit, 23 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin, 21 prej të cilave janë shuar.
Në një pasqyrim të situatës nga zjarret në vend, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, thotë se mbeten aktive vetëm dy vatra: në Bashkinë Delvinë dhe në Bashkinë Dropull.
Sipas tij, po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit. Situata është më e qetë në Dropull, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje.
“Falënderojmë për angazhimin maksimal 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare, të cilët me mjete, ndihmuar edhe nga helikopteri #Cougar dhe 2 #Canadair të ofruara nga Greqia punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura të papërshtatshme”, – shkruan Peleshi në një njoftim për mediat.
Mbrëmjen e të mërkurës, zjarri ka rrezikuar kishën 3 shekullore ortodokse në lartësitë e fshatit Dhuvjan të Dropullit.
Në vendngjarje kanë shkuar edhe 3 furgonë të forcave speciale të FNSH së Fierit për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote, ka pranuar se situata me zjarret në Dropull ka dalë jashtë kontrollit dhe se masat e marra deri tani kanë dështuar, pasi flakët po rrezikojnë fshatrat e zonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.