Shendet

Situata epidemiologjike, ISHP: Fruthi dhe variçela në rritje, 16 mijë të prekur nga sëmundjet respiratore

Situata epidemiologjike, ISHP: Fruthi dhe variçela në rritje, 16 mijë të prekur nga sëmundjet respiratore

Nga Gazeta Si- Në Shqipëri, numri i infeksioneve respiratore ka prekur pragun e epidemisë ku deri në 17 shkurt u shënuan mbi 16 mijë raste.

Sipas buletinit të përjavshëm të ISHP, afro 10.500 pacientë u paraqitën pranë mjekut të familjes në periudhën janar-17 shkurt 2024 me infeksione të traktit të sipërm ndërsa mbi 10 mijë të tjerë me infeksione respiratore të poshtme.

Burime nga ISHP thanë për Gazetasi.al, se edhe rastet e prekura nga sëmundja infektive e fruthit po shtohen.

“Në periudhën janar-17 shkurt janë testuar 107 raste të dyshuara me fruth nga të cilët janë konfirmuar 28 (26%) raste me Fruth.

Nga këto, 25 raste janë konfirmuar në laboratorin kombëtar të referencës të virologjisë në ISHP dhe 3 raste janë të konfirmuar sipas përkufizimit të rastit mbështetur ne shenjat klinike dhe epidemiologjike”, thonë burimet nga ISHP.

Po ashtu, në Shqipëri vijojnë të qarkullojnë sëmundjet ngjitëse infektive si variçela apo sëmundja dorë-këmbë-gojë.

“Sipas informacioneve në ISHP, nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, mjekun infeksionist dhe atë epidemiolog, në Pogradec është konstatuar 1 rast, ndërsa në Tiranë 15 raste me sëmundje të Variçelës dhe sëmundjes dorë-këmbë-gojë”, theksohet në raportin javor të ISHP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë