Shendet

Situata e Covid-19 / Itali, 99 vdekje në 1 javë, Britania ‘pushtohet’ nga varianti i ri

Nga Gazeta Si- Covid-19 është rikthyer si një shqetësim në të gjithë botën ku shtete të shumta po raportojnë për shtim të rasteve ndërkohë që zyrtarët po bëjnë thirrje për vaksinim dhe kujdes.

Në Itali, sipas të dhënave të fundit (10-15 shtator), ishin 30,777 raste pozitive me Covid-19, 44% më shumë se 21,316 që ishin javën e kaluar.

Për më tepër, numri i të shtruarve po rritet. Ai shkoi nga 3 në 3.8% me gjithsej 2378 të shtruar, me një rritje të lehtë të shtrimeve në terapi intensive krahasuar me javën e parë të shtatorit.

Italia gjithashtu raporton edhe një numër të konsiderueshëm vdekjesh ku nga data 7 deri më 13 shtator janë shënuar 99 vdekje, +5,3% krahasuar me javën e kaluar (31 gusht-6 shtator). Të mërkurën e 13 shtatorit janë regjistruar 22 viktima, të dhënat më të fundit ditore të disponueshme, ndërsa një javë më parë ishin 21 (+4,8% në 7 ditë).

Edhe në Gjermani, edhe pse jo në një masë si në Itali, ka pasur një rritje të infektimeve javët e fundit.

Profesor Stefan Kluge, drejtor i Qendrës Mjekësore Universitare Hamburg-Eppendorf ka thënë për mediat gjermane se për momentin, janë 182 pacientë me Covid-19 që ndodhen në terapi intensive, gjysma prej tyre kanë pneumoni të rëndë, të shkaktuar nga Covid-19.

“Javët e fundit kemi vënë re një rritje të infeksioneve tek stafet në spitale dhe kjo mund të bëhet problem, veçanërisht në dimër”, thotë Kluge.

Britania është ‘pushtuar’ nga varianti i ri

Në Britani ka një mbizotërim të variantit të ri BA.2.86 (Pirola). Javët e kaluara kishte një rritje javë pas jave prej 15 për qind në rastet e reja. Më 10 shtator, Zoe Health Study raportoi gjithsej 100,516 raste të reja ditore.

Shifrat e fundit dyjavore të qeverisë të lëshuara më 14 shtator raportojnë gjithashtu rritje të shkallës së infeksionit dhe shtrimit në spital.

Në përgjithësi, shkalla aktuale e shtrimeve në spital me Covid-19 është 4.56 për 100,000 banorë, nga 3.37 dy javët e mëparshme, shkalla më e lartë që nga prilli ndërkohë që normat e shtrimit në spital janë rritur në të gjitha grupmoshat. Për personat mbi 85 vjeç, norma është 51.08 për 100,000 banorë, nga 34.15 në raportin e mëparshëm.

Eric Feigl-Ding, një epidemiolog amerikan, postoi në X/Twitter se shifrat në Britani janë mjaft tronditëse.

“Shtrimet 7-ditore në Angli për Covid-19 te fëmijët e moshës 0-5 vjeç janë rritur. Fëmijët në MB janë gjithashtu ndër më pak të vaksinuarit. Mos i injoroni të dhënat shqetësuese”, shkroi ai.

Amerika paraqet një situatë të ngjashme me vendet që përmendëm.

Në të paktën 10 shtete ka prezencë të variantit të ri, sipas të dhënave nga data baza GISAID.

Kanë rezultuar pozitiv me BA.2.86 njerëz nga Kolorado, Maryland, Michigan, Nju Jork, Ohio, Oregon, Pensilvani, Teksas, Virxhinia dhe Uashingtoni.

Ndërkohë, shtrimet në spital me Covid-19 janë rritur në SHBA nëntë javët e fundit, duke arritur në më shumë se 20.500 shtrime të reja në spital gjatë javës që përfundoi më 9 shtator, një rritje prej afro 8% nga një javë më parë.

CDC ka rekomanduar se të gjithë personat 6 muajsh e lart të bëjnë një vaksinë të përditësuar për Covid-19 për t'u mbrojtur këtë vjeshtë dhe dimër. Vaksinat e përditësuara për Covid-19 nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna do të jenë të disponueshme këtë javë në Amerikë.

Burimet: Global Center for Health Security, US News, CDC, Il Sole 24 Ore. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë