Futboll

Siti hakmerret ndaj Totenhamit dhe rimerr kreun në Premier Ligë

Ajo fitore 4-3 ndaj Totenhamit me shijen e eliminimit nga Liga e Kampionëve tre ditë më parë la një shije shumë te keqe te Mançester Siti. Por gjithsesi brenda javës kampionët në fuqi të Premier Ligës arritën të hakmerren pikërisht ndaj ekipit që i largo inga Champions, Totenham Hotspur. Ekipi i Guardiolës fitoi këtë të shtunë në shtëpi përballje të besuarve të Poketinos me rezultatin minimal 1-0, por që është i mjaftueshëm për t’i ringjitur edhe një herë në krye të klasifikimit.

Goli i talentit Fil Foden që në minutën e 5’ ishte vendimtar dhe rezultoi i pakapërcyeshëm për Totenhamin. Skuadra e Guardiolës duket se kishte marrë mësim nga përballja e së mërkurës dhe i kishte marrë shumë mirë masat në mbrojtje. Por edhe Totenhami nga ana tjetër nuk dukej shumë energjik për të përmbysur këtë rezultat në “Etihat Stadium”. I dorëzuar në kampionat, ku lufton vetëm për një katër vendet e para, Totenham Hotspur të gjitha forcat e veta i ka përqendruar në frontin e Ligës së Kampionëve, aty ku në gjysmëfinale do të ndeshet me Ajaksin.

Ndërsa për Sitin e Guardiolës largimi nga Champions ka lënë si alternativë të vetme triumfin në kampionat. Për momentin janë në vendin e parë me një pikë më shumë se Liverpuli, por duhet të tregojnë kujdes, pasi përpara kanë disa sfida delikate dhe mbi të gjitha derbin me Mançester Junajtid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë