Gazeta Si – Një tjetër lojtar i Kombëtares mund të bëhet pjesë e kampionatit spanjoll, pas Ivan Balliut, Keidi Bares dhe Myrto Uzunit. Mesfushori-sulmues Endri Çekiçi pritet të lërë Turqinë dhe të transferohet në Spanjë.
Në Turqi e bëjnë thuajse të sigurt kalimin e futbollistit shqiptar te Real Sociedad, që është një nga skuadrat më të njohura spanjolle. Aktualisht mban vendin e tretë në La Liga, me 38 pikë, që do të thotë se sezonin tjetër mund të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.

Çekiçi, 26 vjeç, ka bërë një paraqitje të mirë në kampionatin turk me Koniasporin, ku ka shënuar edhe gola të rëndësishëm. Pogradecari është në kulmin e karrierës dhe me pjekurinë që ka fituar duket gati për hapin e madh për t’u bërë pjesë e një prej kampionateve më të fortë në botë.
Pas largimit nga Shqipëria në moshë të vogël, Çekiçi ka provuar të luajë në Kroaci me Dinamon dhe Lokomotivën e Zagrebit, në Slloveni me Olimpijan, për të kaluar më pas në Turqi tek Ankaragucu fillimisht dhe tani te Koniaspor. Nëse bashkohet me Sociedadin, do të ishte një lëvizje vërtet e bujshme për futbollistin kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.