Kosova

Sirena alarmi në Mitrovicë / Arrestohet organizatori i sulmeve ndaj KFOR-it në veri, lëndohen 3 policë (video)

Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

"Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviç- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës", shkroi ministri në Facebook.

Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës,13 qershor, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.

Gazetarët e REL-it thanë që është dëgjuar edhe një shpërthim.

Ata gjithashtu nga terreni raportojnë se njerëzit po mblidhen afër shkollës së mesme teknike në Mitrovicën e Veriut, afër lagjes "Mëhalla e Boshnjakve" ku ndodhet një numër më i madh i Policisë së Kosovës.

Gazetarëve nuk po lejohet të fotografojnë apo filmojnë këto zhvillime.

Sirenat e alarmit publik në Mitrovicë të Veriut rëndom lëshohen kur nga popullata lokale kërkohet të organizohet për ndonjë ngjarje.

Sa herë që bien sirenat në veri të Kosovës, e që ka ndodhur në disa raste vitet e kaluara, grupe njerëzish të organizuar dalin në rrugë, mbyllin dyqanet, barnatoret, lokalet afariste e të tjera dhe organizojnë barrikada.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë