Futboll

Sinjalet e para, Ikardi dhe Inter drejt paqes

Një nga temat më të nxehta të javëve të fundit në futbollin italian dhe më gjerë po shkon drejt zgjidhjes. Inter dhe ish-kapitani Mauro Ikardi po shkojnë hap pas hapi drejt një paqe deri në fundin e këtij sezoni. Ky lloj afrimi i konfirmuar nga të dyja palët do të thotë se me shumë mundësi do e shikojmë Mauro Ikardin në fushën e lojës në sfidën delikate të javës që vjen, Inter-Lacio. Fillimisht ishte agjentja njëkohësisht bashkëshortja e Ikradit, Vanda Nara, e cila ka dhënë sinjalet e para të një ngrohje të raporteve të sulmuesit argjentinas me klubin zikaltër.

E ftuar në emisionin “Tiki Taka”, Vanda tha se nuk di asgjë për takimin mes Ikardit dhe presidentit të Interit, Zhang, por ajo ka parë një riaftësim të gjendjes së gjurit të sulmuesit argjentinas. Më tej ajo u kujdes të theksonte që Ikardi nuk ka asnjë problem me shokët e ekipit. "Unë nuk di asgjë për takimin e mundshëm të së premtes, kam biseduar me Marotën dhe paqja është afër. Nëse Mauro takohet me trajnerin të premten, ata do të duhet të bisedojnë hapur me njëri-tjetrin. Mauro është duke u rimëkëmbur nga problemi i gjurit, i cili është real. Ai ka luajtur me dhimbje edhe përpara, për të treguar sa interesohet për Interin. Sapo të jetë në gjendje, do të kthehet, nuk ka probleme me ekipin.”

Pas kësaj deklarate të Vanda Narës ka ardhur konfirmimi i dytë edhe nga administratori i deleguar i Interit, Bepe Marota. Drejtuesi i lartë zikaltër tha se sjellja e Interit me Ikardin ka qenë korrekte dhe sapo ai të mbarojë terapinë me gjurin do të kthehet në fushë për të ndihmuar Interin në arritjen e objektivave. “Me Mauron jemi sjellë ashtu siç do të kishte bërë një kryefamiljar. Tani shpresoj që situata me të, të zgjidhet sa më parë. Ikardi është një djalë i zoti dhe mund të na ndihmojë shumë. Kur te mbarojë terapinë me gjurin, do të kthehet në fushë. Ky është urimi im”,- u shpreh Marota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë