Futboll

Sinjale të qarta, Inter pranë sulmuesit të Mançesterit

Interi i ri i Kontes duket se nuk ka vend për Mauro Ikardin në majën e sulmit. Argjentinasi pas polemikës së shkaktuar në pjesën e dytë të sezonit që sapo u mbyll kanë bërë që ai të shikohet gjithmonë e më larg nga Milano.

Inter ende nuk e ka gjetur një sistemim për argjentinasin, por nga ana tjetër ka filluar kërkimet për sulmuesin që do të mbajë peshën e sulmit në sezonin që vjen bashkë me Lautaro Martinez. Romelu Lukaku është i duhuri që pëlqen Konte dhe që Marota ka nisur nga puna për ta veshur zikaltër. Pas disa lajmeve të medieve italiane për kontaktet mes dy palëve, fjalët e Lukakut dje kanë shuar çdo dyshim.

“Më vjen mirë që Konte shkoi në Inter, për mua ai është trajneri më i mirë në botë. Unë jam një tifoz i madh i Serie A, njerëzit përreth meje e dinë që gjithmonë kam dashur të luaj në kampionatet angleze dhe italiane: e dua Italinë. Dhe pastaj vajtja e Kristiano Ronaldos në Serinë dhe rikthimi i mundshëm i Sarrit te Juventus apo Ançeloti te Napoli me siguri që do të bëjnë një Seria A shumë emocionuese", ka thënë Lukaku.

Me këto fjalë të Lukakut rrugët e belgut dhe Interit janë afruar shumë, por vetëm ditët në vazhdim do të tregojnë se si do të shkojnë kjo telenovelë merkatoje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë