Kombetarja

Sinjal shprese, kombëtarja U-17 fiton me Azerbajxhanin

Pas dy humbjeve të thella në ndeshjet e para, vjen sinjali i parë pozitiv. Kombëtarja U-17 ka fituar pasditen e kësaj të hëne përballë Azerbajxhanit me rezultatin e ngushtë, 1-0. Ashtu si në ndeshjen e fundit me Norvegjinë, ekipi i Xhemal Mustedanagiç luan mirë, por këtë herë, për shkak edhe të kundërshtarit, ia del që të marrë tre pikët.

Loja nisi mirë që në minutat e para për ekipin kuqezi, që kontrollon topin dhe del më shpesh para portës kundërshtare. 17-vjeçarët shqiptarë punojnë mirë në mesin e fushës, duke bllokuar të gjitha aksionet e kundërshtarëve dhe për pasojë azerbajxhanasit nuk shfaqen pothuajse asnjëherë të rrezikshëm në portën e Shqipërisë. Pas disa rasteve të humbura, në fundin e pjesës së parë, do të vinte goli i vetëm i ndeshjes. Do të ishte Mitaj, që nga pika e bardhë e penalltisë nuk gabon dhe kalon në avantazh kuqezinjtë.

Në pjesën e dytë Shqipëria vijon të bëjë lojën e saj, ndërsa Azerbajxhani është më agresiv dhe kërkon që të barazojë. Ky nervozizëm do i kushtonte miqve që ndëshkohen plot tre herë me kartonë të kuq. Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Shqipëria merr fitoren e parë në këtë grup eliminator për kampionatin europian. Fitorja mbase nuk ka shumë vlerë për kualifikimin, pasi Çekia dhe Norvegjia janë pretendentët për të kaluar më tej, por shërben për të rritur moralin.

Por kjo pasdite ka qenë shumë pozitive për të gjithë futbollin shqiptar edhe përtej kufijve. Ajo që ka bërë surprizën e madhe ishte Kosova. 17-vjeçarët kosovarë kanë fituar me bashkëmoshatarët zviceran 0-1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë