Politike

Sinan Idrizi mohon lajmet për hetim nga Turqia, PD kërkon hetimin e Ramës në Shqipëri

Duke iu referuar lajmit se prokuroria turke ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për mashtrim të biznesmenit Sinan Idrizi, Partia Demokratike i kërkon prokurorisë shqiptare që të Kryeministrin Edi Rama.

Opozita hedh dyshime se pas emrit të Sinan Idrizit, që zyrtarisht zotëron rreth 40 për qind të aksioneve të kompanisë “Air Albania”, qëndron vetë Kryeministri Edi Rama.

“Prokuroria shqiptare të hetojë të gjitha veprimet në lidhje me përfshirjen e Edi Ramës në skemën mashtruese për shitjen e GFI. Prokuroria duhet gjithashtu të hetojë se si u bë Sinani, pa kontribuar asnjë qindarkë, partner i shtetit në Air Albania. A është ai fasada pas aksionerit e pronarit të vërtetë, Edi Ramës në Air Albania? A po riciklon ai paratë e korrupsionit qeveritar apo të krimit të organizuar përmes Air Albania?”, thotë përmes një postimi në rrjetet sociale ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj.

Prokuroria e Stambollit ka kërkuar dënimin me burg nga 3 deri në 10 vite për Sinan Idrizin, që akuzohet nga biznesmeni turk, Adnan Polat se përmes mashtrimit i kishte marrë 3.5 milionë euro. PD thotë se në denoncimin e tij, biznesmeni turk pas kallëzimit të Idrizit ka përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama.

Polat thotë se paratë janë marrë me premtimin për blerjen e kompanisë së naftës Global Fluids International. Sipas dëshmisë së biznesmenit turk, ish-president i skuadrës së futbollit Gallatasaraji, Idrizi i kishte thënë se çmimi fillestar për blerjen e kompanisë ishte 17 milionë dollarë, por i kishte kërkuar një depozitë prej 3.5 mln dollarë me premtimin se do t’ja rikthente sapo të kryhej blerja.

Idrizi është përpjekur që ta shtyjë sa më shumë kthimin e parave duke i premtuar biznesmenit turk se blerja e kompanisë do të bëhej pas zgjedhjeve të 2017-ës në Shqipëri. Polat i sosi durimi dhe kërkoi kthimin mbrapsht të parave, ndërsa sipas mediave turke, Idrizi refuzoi, çka çoi në padinë e ngritur kundër tij.

Ndërkohë ka reaguar edhe vetë Sinan Idrizi pas lajmit të publikuar në mediat turke se prokuroria në Turqi ka kërkuar një dënim me 10 vite burg për të, për çështjen me biznesmenin Adnan Polat.

Për “Panorama Sport”, administratori i Flamurtarit thotë se burimi i lajmit nuk është i besueshëm. Sipas Idrizit, është ai që ka hapur një çështje gjyqësore në Turqi, ndërsa fton gazetarët ta ndjekin atë, gjithmonë nëse ka një gjyq për një çështje të tillë siç pretendon ndoshta pala e Adnan Polat.

“Ky është një lajm i shëmtuar. Kush është burimi i këtij lajmi?! E dini ju kush është media turke ‘Kars Manset’ që e paska publikuar këtë lajm?! Nuk e dini. Është një media periferike. Unë ju ftoj juve si gazetë dhe të gjithë gazetarët e interesuar, hajdeni në Turqi ndiqni seancën gjyqësore, nëse ka. Se nuk e dimë ka apo jo një gjyq për një çështje të tillë. Unë jam shprehur për këtë gjë. Secili ka grupin e vet dhe kaq. Mos u merrni me gjëra koti dhe me këto burime lajmesh që janë të pabesueshme. Nëse jam unë i fajshëm për këtë çështje, atëherë dënohem unë. Nëse është ai tjetri, dënohet ai. Nuk kam çfarë t’iu them më. Hajdeni në Turqi me mua dhe ndiqni gjyqin, gjithmonë nëse ka një gjyq të tillë. Jam unë ai që kam hapur një çështje në gjykatë për këtë”, përfundon Idrizi.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë